Lidhje

Në ujrat pranë Kalabrisë gjendet një anije e fundosur e me mbetje toksike


Autoritetet italiane kanë gjetur në fund të detit pranë brigjeve jugore të Italisë, një anije që mendohet të jetë fundosur nga mafia kalabreze. Një informator i ka thënë policisë se anija e fundosur nga mafiozët kishte një ngarkesë prej 120 fuçishë me mbetje toksike. Autoritetet besojnë se kjo është një prej 32 anijeve të fundosura në ujrat italiane pranë bregut jugor.

Autoritetet italiane besojnë se anija e gjetur në një thellësi prej 500 metrash dhe 28 kilometra nga bregu jugor i Kalabrisë mund të jetë ajo me emrin Cunsky, një prej 32 anijeve, e ngarkuar me lëndë toksike që mendohet të jetë fundosur nga mafiozët në shkëmbim për shuma të mëdha parashë.

Autoritetet përdorën një nëndetëse robot të pajisur me kamer për të filmuar anijen 110 metra të gjatë dhe ngarkesën e saj. Pamjet tregojnë se të paktën një fuçi kishte rënë nga deku i anijes së dëmtuar dhe gjendej në fund të detit. Prokurori kalabrez Bruno Xhordano thotë se ende nuk dihet se çfarë ka brenda në fuci.

Ai tha se fuçitë duket se janë mbyllur mirë dhe janë të përforcuara në pjesën e kapakut. Sipas prokurorit kalabrez, ish-mafiozi Françesko Fonti, tashmë informator i policisë, thotë se mafia ka fundosur qindra fuçi me mbetje toksike, disa prej të cilave përmbajnë element radioaktive.

Fonti u tregoi autoriteteve vendin ku ndodhej anija e fundosur dhe u tha se ai ishte ndërlikuar në shpërthimin që fundosi këtë anije në vitin 1992 dhe të dy anijeve të tjera me ngarkesë të ngjashme.

Prokurori Xhordano, që e ka zyrën në qytetin kalabrez Paola, tha se ka biseduar me ministrinë rreth shqetësimeve që përbëjnë këto fuçi për shëndetin dhe se duhen marrë masa të menjëherëshme për shmangien e ndotjes prej tyre.

Organizata Greenpeace dhe shoqata të tjera për mbrojtjen e mjedisit janë ankuar vazhdimisht gjatë dekadave të fundit se anije ndoshta të ngarkuara me mbetje toksike janë zhdukur në ujrat pranë brigjeve të Italisë dhe Greqisë.

Hetuesit dhe veprimtarë për mbrojtjen e mjedisit thonë se miratimi i ligjeve më të rrepta për mbrojtjen e mjedisit në vitet 1980 i kanë ndihmuar mafiozët të nxjerrin fitime prej miliona dollarësh duke marrë përsipër zhdukjen ilegale të mbetjeve industriale për kompanitë italiane veçanërisht nga pjesa veriore e vendit./a/

XS
SM
MD
LG