Lidhje

Një ditë në zyrat e Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan


Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan me qendër në Uashington, ose NAAC-u siç njihet shkurtimisht, është një organizatë që mes të tjerash ka si mision të informojë për çështjet shqiptare zyrtarët e qeverisë dhe formuluesit e politikave në Shtetet e Bashkuara. Kolegu ynë Ilir Ikonomi ishte në zyrat e NAAC-ut dhe përgatiti një reportazh.

Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan është një organizatë pa përfitim që punon për çështjet shqiptare.

Drejtori ekzekutiv, Avni Mustafaj, thotë se NAAC-u është një organizatë që mes të tjerash ka si mision të informojë dhe analizojë çështjet shqiptare për zyrtarët e qeverisë amerikane dhe për formuluesit e politikave në Shtetet e Bashkuara.

Zoti Mustafaj thotë se çdo ditë që kalon e forcon pavarësinë e Kosovës. Ndërsa duke folur për marrëveshjen mbi sigurinë që misioni evropian EULEX nënshkroi kohët e fundit me Beogradin, ai shprehet:

"Për mua problemi kryesor në Kosovë është se ka shumë qendra politike. Duhet të pranohet që ky shtet ka kushtetutën e vet. Nuk duhet të ketë të drejtë askush të nënshkruajë marrëveshje në emër të këtij shteti. Këto marrëveshje nuk janë dhe aq të rrezikshme por besoj se rreziku qendron te procedura."

"Ata kanë shkuar në Kosovë për të ndihmuar me kërkesë të qeverisë së Kosovës, si këshilltarë dhe nuk duhet të kenë autoritet ekzekutiv por moritorues dhe këtu është problemi."

Përsa i përket situatës paszgjedhore në Shqipëri dhe bojkotit të parlamentit nga opozita socialiste, drejtori ekzekutiv i NAAC-ut kujton zgjedhjet presidenciale të vitit 2000 në Amerikë mes kandidatëve Al Gore dhe Xhorxh Bush që përfunduan me diferencë tepër të ngushtë dhe me rezultat te paqartë:

"Partia Demokrate e Amerikës i kontestoi zgjedhjet por pas një kohe të shkurtër u bashkuan dhe thanë se vazhdimi i bojkotit të qeverisë nuk ishte në interes të vendit… Për ne, sa më shpejt të sqarohet kjo punë, aq më mirë është për Shqipërinë dhe për politikanët e saj."

Zoti Mustafaj thotë se NAAC-u është aktiv në Kongres, në Shtëpinë e Bardhë, në Departamentin e Shtetit, USAID dhe institutet studimore. Brenda 3-4 muajve, thotë ai, NAAC-u i kontakton të gjitha këto qendra pushteti.

Zoti Mustafaj thotë se marrëdhëniet me këta njerëz janë të rëndësishme për NAAC-un.

"Kjo neve na bën efikasë prandaj kemi krijuar marrëdhënie edhe personale me ta."

Instituti amerikan i Paqes është një shembull tipik.

"Instituti i Paqes është një ndër shoqatat hulumtuese më të rëndësishme në Uashington. Referuesit kryesorë në diskutimin e sotëm janë ish shefi i UNMIK-ut, Soren Jessen Petersen dhe profesor Paul Williams, ekspert i konstitucionalizmit, njohës i mirë i çështjeve të Ballkanit."

"Diskutimi i sotëm ishte një diskutim për konfliktin, për vazhdimësinë e jetës në një shoqëri pas konfliktit. Është shumë i rëndësishëm fakti që, kur ne ishim aty, u përmend Kosova në mënyre pozitive 10-15 herë nga të gjithë folësit."

David Scotton ka qenë këshilltar i ish Presidentit George Walker Bush dhe ka punuar në funksione të larta në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Roli i tij në NAAC është pikerisht të krijojë dhe te ruaje lidhjet e nevojshme politike:

"Biznesi i Uashingtonit është politika, është një qytet që vihet në lëvizje nga politika, kjo është si të thuash industria e këtushme. Prandaj është shumë e rëndësishme që të kesh lidhje. Për fatin tim, unë kam pasë punuar me kongresmenë dhe senatorë, kam punuar në Shtëpinë e Bardhë, kam punuar si me demokratë edhe me republikanë. Rëndësi ka edhe ruajtja e kontakteve sepse një zyrtar i sotëm mund te largohet por mund të kthehet përsëri."

Drejtori ekzekutiv, Avni Mustafaj shpjegon se si funksionon kjo organizatë.

"Jemi në kontakt me politikanët në Shqipëri, pozitën dhe opozitën, me Departamentin e Shtetit. Shpesh herë, roli ynë i rëndësishëm është që të kuptohet mesazhi në të dyja anët dhe pastaj këtu në Uashington, nëqoftëse punët nuk shkojnë në drejtimin që ne mendojmë se është zgjidhja optimale, atëhere mund t'i bëjmë presion administratës përmes Kongresit sepse kemi kongresmenë të cilët kanë rënë dakord që si grup të merren me çështjet shqiptare."

Pertej politikes dhe në një nivel me praktik, NAAC-u trajnon grupe nga Ballkani, kryesisht gra dhe vajza, me nje program të quajtur Hope Fellowship:

"Një nga aktivitetet kryesore të këtij projekti ka qenë ardhja e një grupi grash dhe burrash në Uashington për te fituar një eksperiencë se si funksionon sistemi amerikan dhe si mund ta zbatojnë këtë përvojë në vendet e tyre", thotë Amelda Beluli, koordinatore e programeve rajonale.

NAAC-u po përgatit ndërkohë mbrëmjen e përvitshme në Nju Jork për dhënien e çmimeve prestigjoze te organizatës. Fituesit e çmimit këtë vit janë negociatori Marti Ahtisari dhe fotografi Fadil Berisha.

"Marti Ahtisari hartoi planin për pavaresinë e Kosovës. Nuk është një plan perfekt por praktikisht kjo hapi derën për pavaresinë e Kosovës. Nga ana tjetër do t'i japim çmim fotografit Fadil Berisha sepse këto vitet e fundit ka luajtur rolin e një ambasadori te artit dhe kulturës shqiptare," thotë zoti Mustafaj. //ii

XS
SM
MD
LG