Lidhje

Presidenca e BE-së reagon pas raportit të ODIHR-it


Presidenca suedeze e Bashkimit Europian reagoi mbrëmë pas publikimit të raportit të ODIHR mbi zgjedhjet e 28 qershorit në Shqipëri. Bashkimi Europian mirëpret vlerësimin se zgjedhjet arritën shumicën e angazhimeve të OSBE-së, edhe pse ato nuk realizuan plotësisht potencialin e Shqipërisë për të arritur standardet më të larta për zgjedhje demokratike.

Presidenca suedeze ndërsa përshëndet përfundimet e raportit, vë në dukje dhe problemet e ngritura në të. “Bashkimi Europian – thuhet në deklaratën e Presidencës suedeze të BE-së, thekson se është e rëndësishme të garantohet se mangësitë e zgjedhjeve do të shqyrtohen, se janë nxjerrë mësimet dhe se rekomandimet e përfshira në raport do të ndiqen nga qeveria dhe të gjitha partitë e përfshira".

Duke ju referuar qartë vendimit të opozitës socialiste për të bojkotuar parlamentin deklarata e presidencës së Bashkimit Europian shprehet se “BE inkurajon të gjitha forcat politike në Shqipëri të ndjekin një dialog politik konstruktiv. Në veçanti, thuhet më tej në deklaratë, zhvillimi i një dialogu të vazhdueshëm në parlament është një element thelbësor i demokracisë. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë një kërkesë thelbësore për të përmbushur kriteret për anëtarësim në BE”, nënvizon deklarata. (ze)

XS
SM
MD
LG