Lidhje

Popullata e botës vazhdon rritjen, problem vendet e varfra


Një raport i ri tregon se brenda më pak se dy vjetësh popullata e botës do të arrijë në 7 miliardë vetë, një shifër që paraqet sfida të reja për ushqim, kujdes shëndetësor dhe arsimim. Raporti tregon gjithshtu se përqindjet më të larta të shtimit të popullsisë janë në vendet në zhvillim, veçanërisht në segmentet më të varfra të popullatës.

Megjithë rimet e ulëta të shtimit të popullsisë në vendet e zhvilluara, popullata e botës vazhdon të rritet, veçanërisht në vendet më të varfra të globit.

Në më pak se 2 vjet, popullata botërore do të arrijë në 7 miliardë vetë, sipas Zyrës për Referencat e Popullatës, një organizatë jofitimprurëse në Uashington.

“Për momentin, bota po shtohet me 1 miliardë banorë çdo 12 vjet. Por popullata e kapi 1 miliardin e parë vetëm në vitet 1800, megjithëse njerëzimi kishte ekzistuar prej mijëra vjetësh.”


Në Afrikën nënsahariane, ritmet e lindjeve por edhe të vdekjeve janë ulur. Fushata kundër Sidës dhe malaries po jep rezultat. Gjatë 40 vjetëve të ardhshëm pritet që popullata e Afrikës të shtohet me 1 miliard vetë.

“Gratë në Niger, sipas statistikave aktuale, kanë mesatarisht 7.4 fëmijë.”

Aktualisht 80 për qind e fëmijëve dhe grave në botë janë në Afrikë e Azi. Ky segment kryesisht joproduktiv i popullatës ka nevojë për arsimim, klinika shëndetësore dhe mundësi punësimi:

“Të kesh një masë të madhe të rinjsh të pa-arsimuar, apo analfabetë, nuk është në të mirë të vendit dhe përbën një ndër sfidat madhore të vendeve në zhvillim.”

John F. May është demograf në Bankën Botërore. Ai thotë se në Afrikë vetëm 10 për qind e fëmijëve mbarojnë shkollën e mesme. Vetëm një për qind ndjekin universitetin.

“Mendoj se vitaliteti i një vendi nuk lidhet me numrin e popullsisë, por me numrin e personave të arsimuar.”

Nga ana tjetër, vendet e zhvilluara kanë ritme më të ulëta lindjesh. Evropa dhe Azia lindore kanë ritmet më të ulëta. Tajvani ka ritmet më të ulëta të lindjeve në botë me mesatarisht 1 fëmijë për çdo grua. Arsimi i lartë dhe përqendrimi i popullatës në qytete janë faktorë që ndikojnë në numrin e lindjeve, shpjegon zoti May. Kina dhe India kanë secila mbi 1 miliard banorë. Por së shpjeti pritet që India të jetë në vend të parë për popullsinë:

“Diku nga viti 2020, pra në të ardhmen e afërt, India do të bëhet vendi me popullsinë më të madhe në botë, duke ia kaluar Kinës.”

Furnizimi me ushqim mbetet problem. Megjithatë, zoti Haub thotë se urija që prek një pjesë të madhe të botës nuk është rezultat i sasisë së pamjaftueshme të ushqimit, por i varfërisë:

“Gjysma e popullsisë në vendet në zhvillim i përkasin, sipas klasifikimit të Bankës Botërore, kategorisë së varfërisë ekstreme me më pak se 2 dollarë në ditë. Ky grup po rritet me shpejtësi.”

Demografët pohojnë se shtimi i popullsisë, veçanërisht në Afrikë, do të nxisë zhvendosjen në zonat urbane. Si rezultat, qytetet do të bëhen më të mëdha, më të vështira për t’u administruar dhe me lagje të varfra masive. //ii

XS
SM
MD
LG