Lidhje

Sek. Klinton mbron politikën e administratës për sistemin e raketave

  • David Gollust
  • Departamenti Shtetit

Në një fjalim të mbajtur të premten, Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton mori në mbrojtje politikën e re të administratës Obama për sistemin mbrojtës nga raketat në Europë, duke thënë se administrata nuk ka hequr dorë nga ky program por po ia përshtat atë kërcënimeve që përbën aktualisht Irani. Zonja Klinton tha se shumë shpejt Irani do të përballet me alternativën, nëse është apo jo i gatshëm t’u përgjigjet shqetësimeve ndërkombëtare rreth synimeve të tij bërthamore.

Fjalimi i zonjës Klinton në Institutin Brukings të Uashingtonit u pa nga analistët si një rast për të njohur publikun me axhendën e administratës Obama lidhur me Asamblenë e re të Përgjithshme të OKB-së që fillon javën e ardhëshme.

Por ajo e shfrytëzoi fjalimin për t’ju përgjigjur kritikave ndaj vendimit të njoftuar dje nga Presidenti Obama. Me këtë vendim, administrata heq dorë nga planet e instalimit në Poloni dhe në Republikën Çeke të sistemit amerikan për mbrojtjen nga raketat në favor të një sistemi rajonal i cili të interceptojë raketat iraniane me rreze të mesme veprimi.

Vendimi për t’i dhënë fund kaq papritur projektit të administratës Bush, mendohet se i ka shqetësuar aleatët europianë dhe është bërë shkak për kritika të ashpra nga konservatorët këtu në Shtetet e Bashkuara, të cilët thonë se administrata e zotit Obama po lëshon pe para kundërshtimeve të Rusisë ndaj këtij programi.

Zonja Klinton tha se plani i ri, i cili fillimisht do të mbështetet kryesisht te interceptorët e vendosur në anije luftarake, nënkupton instalimin e një sistemi mbrojtës efikas shumë vite më herët se sa sistemi i administratës së mëparshme, i cili, tha ajo, nuk kishte dhënë prova dhe ishte i kushtueshëm.

Ajo ritheksoi angazhimin e Shteteve të Bashkuara dhe të NATO-s ndaj Polonisë dhe Çekisë duke ngulur këmbë se kundërshtimet e Rusisë nuk kishin luajtur rol në kalkulimet e Presidentit Obama.

"Ky vendim nuk kishte të bënte me Rusinë por kishte të bënte me Iranin dhe me kërcënimin që përbëjnë raketat e tij balistike. Për shkak të kësaj, ne besojmë se do të jemi në një pozitë shumë më të fortë për t’u përballur me këtë kërcënim dhe për ta bërë këtë me një teknologji që funksionon si dhe me besim shumë më të madh se mund ta realizojmë atë që kemi premtuar,"- tha zonja Klinton.

Zonja Klinton do të takohet javën e ardhëshme në Kombet e Bashkuara me homologë nga vende të tjera anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit dhe nga Gjermania në prag të një takimi që mund të rezultojë vendimtar, i cili do të mbahet më 1 tetor midis diplomatëve të këtyre vendeve dhe negociatorit iranian të çështjeve bërthamore, Saeed Jalili.

Ajo la përsëri të kuptohet se po kalon afati që Irani të heqë shqetësimet se programi i tij bërthamor lidhet me armët përndryshe do të përballet me sanksione dhe izolim më të madh ndërkombëtar. Ajo la gjithashtu të kuptohet se masat shtypëse të Teheranit ndaj disidentëve brenda vendit vetëm se i thellojnë dyshimet ndaj synimeve të tij.

"Që nga muaji qershor, ne e kemi parë qeverinë iraniane të angazhohet në një fushatë arrestimesh me motive politike, gjyqesh farsë dhe shtypjeje të fjalës së lirë. Qeveria iraniane kërkon drejtësi në botë por në fakt e pengon pikërisht atë drejtësi që kërkon. Megjithatë, ne jemi të gatshëm të hyjmë në bisedime me Iranin, jo si qëllim në vetvete por si mjet për zgjidhjen e shqetësimeve në rritje që ne dhe partnerët tanë ndërkombëtarë kanë rreth veprimeve të Iranit, sidomos për çështjen bërthamore,"- tha zonja Klinton.

Sekretarja e Shtetit tha se mospërhapja e armëve dhe çarmatimi, me qëllimin përfundimtar të eliminimit të plotë të armëve bërthamore, janë përparësi kyçe të Shteteve të Bashkuara në OKB dhe do të nënvizohen nga planet e pazakonta të Presidentit Obama për të kryesuar një takim të posaçëm të Këshillit të Sigurimit rreth kësaj teme javën e ardhëshme.//lk

XS
SM
MD
LG