Lidhje

Perspektiva evropiane e Kosovës në teori dhe në praktikë

  • Bardha Shpuza-Azari
  • Uashington

A është Kosova një shtet europian? Kjo ishte pyetja e ngritur për diskutim në Institutin e Paqes së Shteteve të Bashkuara këtu në Uashington. Perspektiva europiane e Kosovës përsëritet vazhdimisht në teori nga zyrtarët e Bashkimit Europian, por në praktikë, banorët e shtetit më të ri në botë ende nuk kanë parë hapa realë në rrugën drejt integrimit në këtë grup.



Ndërkohë që ka kaluar më shumë se një vit e gjysëm që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, shteti i ri ende po përpiqet të gjejë të ardhmen e tij europiane. Ndonëse nga pikëpamja gjeografike, Kosova është pjesë e Europës, integrimi i saj në Bashkimin Europian duket se ka mbetur deri diku peng i mosmarrëveshjeve ndërkombëtare.

Një nga pengesat kryesore në integrimin europian të Kosovës është fakti që pesë nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Europian nuk e njohin pavarësinë e saj dhe BE-ja duket se ia ka lënë kohës çështjen e njohjes së shtetit të Kosovës për të vazhduar më tej me integrimin. Engjëllushe Morina, drejtoreshë ekzekutive e Iniciativës Kosovare për Stabilitet, thotë se kjo ka krijuar një gjendje paqartësie tek popullata e Kosovës mbi të ardhmen e vendit të tyre.

“Zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian na thonë vazhdimisht se kemi një prespektivë europiane. Por ka njerëz në Kosovë që nuk e kanë parë asnjëherë Europën, dhe nuk e njohin atë. Ka studentë që nuk e dinë ç’do të thotë të jesh europian, sepse nuk lejohen të udhëtojnë në Europë, për shkak të embargos së vizave. Prandaj njerëzit nuk e kuptojnë se për çfarë perspektive flasin zyrtarët e BE-së.”- thotë ajo.

Ish Përfaqësuesi i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë, zoti Soren Jesen Petersen, pajtohet me idenë që liberalizimi i vizave është një çështje parësore për të.

“Nuk ka asnjë çështje më të rëndësishme për banorët e rajonit sesa liberalizimi i vizave. Për ta nuk është e qartë pse u thuhet se e ardhmja e tyre është në Europë, në një kohë që ata nuk lejohen ta shohin këtë të ardhme,”- thotë zoti Petersen.

Si zonja Morina ashtu edhe zoti Petersen theksojnë se qëndrime të tilla kanë shkaktuar një ndjenjë anti-europiane në rajon në përgjithësi, si dhe brenda Kosovës në veçanti.
Një nga përfundimet kryesore të samitit të BE-së në Selanik para gjashtë vjetësh, ishte se Ballkani perëndimor ka një të ardhme europiane. Por deri tani mundësia për të udhëtuar pa viza është miratuar vetëm për Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë. Zonja Morina thotë se kjo krijon idenë se disa vende të rajonit po lihen jashtë integrimit.

“Për momentin ka një ndjenjë pakënaqësie ndaj BE-së në Kosovë, meqenëse duket se Kosova po trajtohet ndryshe në krahasim me vendet e tjera të rajonit e sidomos me Serbinë.”

Por zoti Petersen thekson se pranimi i pjesshëm i disa vendeve të rajonit nuk e përmbush qëllimin e mesazhit të Selanikut.

“Selaniku fokusohej në të gjithë vendet e rajonit, dhe kjo do të nënkuptonte që edhe Kosova sot duhet ta kishte perspektivën dhe të ardhmen europiane, sepse po të lihej jashtë cilido shtet, kjo do të minonte qëllimin e procesit të integrimit të BE-së dhe përkushtimin e tij ndaj Ballkanit perëndimor,”- thotë ai.

Por çështja që ka ngjallur debate më shumë është shtytja e disa shteteve anëtare të BE-së për një integrim të shpejtë për Serbinë, në një kohë që Beogradi përpiqet të minojë politikat europiane në Kosovë. Në këtë kuadër, pjesëmarrësit në diskutim theksuan se është e rëndësishme që BE-ja të mësojë nga e kaluara dhe të bëjë një marrëveshje zyrtare me Beogradin që ky i fundit të mos bllokojë integrimin eventual të Kosovës në bashkim.//lk



XS
SM
MD
LG