Lidhje

7 ish drejtorë të CIA-s i dërgojnë një letër presidentit Obama


Shtatë ish drejtorë të CIA-s i kanë kërkuar Presidentit Obama të ndalojë hetimet kriminale për të zbuluar nëse ka patur abuzime me metodat e përdorura nga punonjës të CIA-s në proceseve hetimore gjatë administratës së ish presidentit Bush.

Ish drejtorët e CIA-s, të cilët kanë shërbyer si gjatë administratave demokrate dhe atyre republikane, e paraqitën kërkesën e tyre me shkrim në një letër të dërguar dje Shtëpise së Bardhë.

Në letrën e tyre, ata paralajmëruan se këto hetime, mund të mos inkurajojnë punonjës të tjerë të CIA-s që të marrin vendime të guximshme për të mbrojtur vendin, apo mund të shkaktojnë ndrojtjen e qeverive të huaja për të bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara.

Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Erik Holder caktoi muajin e kaluar prokurorin Xhon Durham për të drejtuar hetimet, që do të përcaktojnë nëse ka patur apo jo abuzime nga personeli i CIA-s gjatë proçeseve hetimore me të dyshuarit për akte terroriste.

Zëdhënësi i zotit Holder, Mark Miller, tha se vendimi i Prokurorit të Përgjithshëm për të zhvilluar hetimin paraprak mbi këtë çështje ishte i bazuar mbi detyrimin e tij për të shqyrtuar faktet dhe për të zbatuar ligjin. (ze)

XS
SM
MD
LG