Lidhje

Beteja politike lidhur me reformën e kujdesit shëndetësor në SHBA


Në fjalimin më të rëndësishëm deri tani të presidencës së tij, presidenti Obama u përpoq t’i jepte një hov tjetër politik reformës së kujdesit shëndetsor me anë të një fjalimi që mbajti para të dy dhomave të kongresit dhe gjithë popullit amerikan në televizion.

“E kuptoj se hapi më i sigurtë politik do të ishte që të kalohet koha me retorikë rreth kësaj çështjeje, të shmanget reforma edhe për një vit, edhe për vit zgjedhjesh, edhe për një mandat. Por koha nuk na kërkon këtë. Kjo nuk është arsyeja që jemi këtu. Ne nuk erdhëm këtu që të kemi frikë nga e ardhmja, por që t’i japim asaj formën e duhur, prandaj ende besoj se ne mund të veprojmë edhe në kohë të vështira”.

Reagimet e para lidhur me përpjekjet e presidentit për t’i dhënë përsëri jetë çështjes së reformës kanë qënë pozitive. Analisti politik Norman Ornstein pranë Institutit amerikan Enterprise:

“Ai zbuti shqetësimet e disa votuesve të pavendosur, të cilët nuk ishin të qartë nëse kjo reformë do të jetë e mirë apo jo për ta. Së dyti, me fjalimin e tij presidenti u dha energji demokratëve të partisë së tij, të cilët kanë qënë të përçarë rreth kësaj çështje dhe të pasigurtë si të veprojnë”.

Presidenti dhe përkrahësit e tij demokratë në Kongres duan t’u ofrojnë sigurime shëndetsore dhjetra miliona amerikanëve që nuk i kanë ato tani. Ata duan gjithashtu të vënë nën kontroll koston tepër të madhe të kujdesit shëndetsor.

Por përpjekjet për reformën pësuan tronditje gjatë muajit gusht kur anëtarët e kongresit u përballën me votues të zemëruar dhe tepër kritikë në takimet e hapura me publikun herë herë kaotike në disa pjesë të vendit. Kundërshtarët konservatorë vunë në shënjestër përpjekjet për reformimin e kujdesit shëndetsor gjatë një marshimi kohët e fundit në Uashington.

Republikanët kundërshtojnë përpjekjet e presidentit, duke i quajtur shumë të kushtueshme dhe ndërhyrje të tepëruar të qeverisë në ekonomi. Madje ata thonë se fjalimi i fundit i presidentit nuk arriti të ndryshonte atmosferën politike. Udhëheqësi i republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Xhon Bejnër:

“Amerikanët janë të pakënaqur, janë të zemëruar dhe më e rëndësishmja, ata janë të tmerruar se vendi i tyre ashtu siç u rritën ata nuk do të jetë i njëjtë për fëmijët dhe nipërit e mbesat e tyre”.

Megjithë këtë opozitë, përkrahësit e reformës vazhdojnë të mobilizohen. Gordon Duvall erdhi në Kongres nga Kolorado për të bërë fushatë.

“Kjo është qeveria jonë. Është qeveria e popullit, për popullin dhe nga populli dhe pjesa “nga populli” duhet të marrë përsëri kuptimin e saj, sepse kjo është qeveria jonë. Ne nuk mund të themi se qeveria është e korruptuar, sepse ne jemi qeveria”.

Pasojat politike në debatin e kujdesit shëndetsor janë shumë të mëdha, thotë Norman Ornstein.

“Presidenti Obama e bëri reformën në kujdesin shëndetsor përparësinë kryesore në politikën e brëndshme. Dështimi për të vepruar në këtë aspekt do të dërgojë një sinjal se shumica e zgjedhur në Kongres për të vepruar nuk është në gjendje të veprojë dhe viktimat do të jenë vetë demokratët e partisë së tij në Kongres”.

Zoti Ornstein ende beson se një farë versioni i reformës ka të ngjarë të miratohet deri në fund të vitit.

“Nuk do të jetë një reformim i plotë i sistemit të kujdesit shëndetsor, por ndoshta një e treta e asaj që kërkojnë përkrahësit e një ndryshimi dramatik. Sidoqoftë ndryshimi që do të sjellë në jetën e shumë njerëzve do të jetë i ndjeshëm”.

Dështimi për të vepruar, thotë ai, mund të pasohet me humbje të mëdha për demokratët në zgjedhjet e vitit të ardhshëm për në Kongres. //KH//

XS
SM
MD
LG