Lidhje

Takim në Nju Jork Obama-Netanjahu-Abaz


Presidenti Barak Obama do të zhvillojë të martën një takim tre-palësh me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahu, dhe Presidentin palestinez, Mahmoud Abbas, në përpjekje për të rifilluar bisedimet e paqes mes dy palëve.

Shtëpia e Bardhë publikoi dje një deklaratë, në të cilën thuhet se Presidenti Obama do të takohet veças me secilin udhëheqës para se të zhvillojë takimin tre-palësh më 22 shtator.

Takimi do të zhvillohet në Nju Jork, ku të tre udhëheqësit do të marrin pjesë në sesionine Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Një zyrtar i administratës amerikane tha se në takimin tre-palësh nuk pritet të bëhet ndonjë njoftim.

Zyra e kryeministrit Netanjahu bëri një deklaratë në të cilën mirëpriti ftesën e presidentit Obama për bisedime. Një këshilltar i udhëheqësit izraelit tha se takimi i Nju Jorkut do të zhvillohet pa kushte, ashtu siç ka kërkuar gjithnjë kryeministri.

I dërguari i posaçëm amerikan në Lindjen e Mesme Xhorxh Mitçell u kthye të premten në Shtetet e Bashkuara, pas takimeve në rajon me udhëheqësit izraelitë e palestinezë. Ai nuk arriti t’i bindte të dyja palët të binin dakord lidhur me çështjen e ndërtimit të vendbanimeve hebraike.

Presidenti palestinez Mahmud Abas thotë se dështimi për ta bindur Izraelin që t’i japë fund ndërtimeve të vendbanimeve hebreje në zonat e pushtuara të Bregut Perendimor nënkupton se bisedimet për paqe kanë ngecur. Zoti Abas i bëri këto komente pas përfundimit të takimit me presidentin egjiptian Hosni Mubarak në Kajro. (ze)

XS
SM
MD
LG