Lidhje

Bizneset e vogla amerikane dhe sfidat rreth sigurimit shëndetsor


Ndërsa Kongresi vazhdon debatin rreth propozimeve për reformën e sistemit shëndetsor, pronarët e shumë bizneseve të vogla po përballen me një vendim të vështirë: të mbajnë në fuqi programet e sigurimeve për punëtorët e tyre apo t’i braktisin ato për shkak të ngritjes së madhe të kuotave. Punëtoret e një biznesi të vogël në lagjen Spring në periferi të Hjustonit në Texas janë të shqetësuar rreth angazhimit të qeverisë në sistemin shëndetsor, por në të njëjtën kohë të zhgënjyer nga kostoja si asnjëherë e lartë për kujdesin shëndetsor, që ata kanë.

Milstead Automotive është një kompani, pronë familjare, që kryen shërbime riparimi për kamjonë dhe makina në Spring për 37 vjet. Kjo kompani ofron 3 plane të ndryshme të kujdesit shëndetsor për 150 punonjësit, pjesërisht si pjesë e përpjekjeve për të mbajtur në punë njerëz punëtorë dhe me përvojë.

Por nën-presidentja e kompanisë, Amy Milstead Ellzi, thotë se ngritja këtë vit me mbi 40 për qind e kuotave nga kompanitë e sigurimeve shëndetsore po e bën më të vështirë për kompaninë dhe punonjësit e saj.

“Është shumë keq, ne nuk mund të përballojmë një ngritje prej 44 për qind në sigurimet shëndetsore. Kjo na bën që të kërkojmë plane të tjera dhe të shkurtojmë disi planet”.

Ajo thotë se kompania e saj do që t’u sigurojë punonjësve sigurime shëndetsore, jo vetëm si nismë por edhe si mënyrë për të ruajtur shëndetin dhe produktivitetin e punëtorit.

“Gripi apo të ftohurit, që kthehet në infeksion në bajame, për shembull, mund të duhet një javë të shërohet. Nëse punëtori ka sigurime, ai mund të shkojë tek mjeku dhe me ilaçe mund të shërohet më shpejt dhe të kthehet në punë”.

Amy Ellzi thotë se punonjësit e kompanisë Milstead janë si familje, madje disa janë të tillë. Scott Schafer, i cili menaxhon shërbimet e transmisionit, dhe gruaja Mishell, e cila punon në zyrën e llogarive, thonë se sigurimet shëndetsore kanë bërë që ata të qëndrojnë me këtë kompani.

Skoti thotë se “bëhet fjalë më tepër se sa sigurimet shëndetsore”.

Ndërsa Mishell thotë se "Askush nuk do që të mbetet pa sigurime shëndetsore. Nëse sëmuresh rëndë nga diçka, njeriu mund të falimentojë krejtësisht”.

Por ata janë të shqetësuar rreth vajzës së tyre, së cilës ata i garantuan sigurimin shëndetsor deri në moshën 25 vjeçare.

Ajo është 26 vjeç dhe nuk ka sigurim shëndetsor. Ajo vazhdon studimet dhe punon nga pak dhe nuk mund të paguajë për sigurimin shëndetsor. Dhe për këtë arsye, ajo nuk shkon tek mjeku”- thotë Mishell.

Skot and Mishell Shefer mbështesin idenë e një farë roli qeveritar në mbajtjen nën kontroll të çmimeve nga sektori i shëndetsisë dhe nga kompanitë e sigurimeve.

Amy Ellzi është dakord se diçka duhet bërë për të kontrolluar më mirë kompanitë e sigurimeve shëndetsore.

Ellzi thotë se "industria jonë kaloi nëpër një kontroll të madh, për të mos lejuar ngritjen e kuotave dhe për të parë shumat që kërkojmë për shërbimet tona. Pse një gjë e tillë nuk bëhet me kompanitë e sigurimeve shëndetsore?"

Megjithatë kompanitë e sigurimeve shëndetsore thonë se kanë kaluar nëpër kontrolle nga çdo shtet dhe ngritja e çmimeve të tyre pasqyron ngritjen e kostos në sistemin e kujdesit shëndetsor.

Por cilatdo qofshin arsyet, kostot e larta po bëjnë që shumë biznese të vogla të mos ofrojnë sigurime shëndetsore si një përfitim.

Sipas Shoqatës së Bizneseve të Vogla, mbi 60 për qind e kompanive si Milstead, u ofronin punonjësve sigurime shëndetsore në vitin 1993. Kjo shifër ra në 38 për qind vitin e kaluar, duke bërë që shumë punëtorë të kërkonin për një plan që mund ta përballojnë vetë./ap.

XS
SM
MD
LG