Lidhje

Drejtori i CIA-s mbi zhvillimet në Afganistan dhe Iran


Një zyrtar i lartë i zbulimit amerikan beson se presidenti Hamid Karzai ka shumë të ngjarë të dalë fitues i zgjedhjeve presidenciale megjithë akuzat për manipulime. Leon Paneta thotë se Irani po mbledh njohuri dhe aftësi bërthamore, por ekzistojnë mosmarrëveshje mes udhëheqësve të vendit nëse do të prodhojnë bombën apo jo. Shefi i CIA-s i dha Zërit të Amerikës një intervistë ekskluzive në Dirborn të shtetit Mishigen.

Gjatë intervistës ekskluzive për Zërin e Amerikës, drejtori i Agjencisë Qendrore të Zbulimit, Leon Paneta, tha se beson që presidenti Hamid Karzai do të dalë fitues i zgjedhjeve të debatueshme presidenciale në Afganistan, edhe pasi votat e diskutueshme të hidhen poshtë.

“Siç duket, edhe pasi të eliminohen disa nga votat që mund të jenë manipuluar, zoti Karzai do të jetë njeriu që do t’i fitojë këto zgjedhje”.

Presidenti Karzai i ka mohuar manipulimet në masë dhe rezultatet paraprake tregojnë se ai është fitues, megjithëse grupi mbikqyrës i OKB-së ka dhënë urdhër të bëhet një rinumërim i pjesëshëm. Ndërkohë, zgjedhjet presidenciale në Iranin fqinjë ishin përfshirë gjithashtu nga akuzat për manipulime. Në qershor, mijëra protestues dolën rrugëve duke akuzuar presidentin Mahmud Ahmadinexhad se i kishte fituar zgjedhjet me manipulime. Qeveria iu përgjigj me shtypjen masive, arrestimin dhe gjykimin e shumë prej përkrahësve të opozitës.

“Rezultati përfundimtar është se është e vështirë të thuhet nëse kjo do t’i radikalizojë udhëheqësit atje, dhe ta bëjë më të vështirë angazhimin në marrëdhënie diplomatike me Shtetet e Bashkuara, apo nëse ata do t’i shohin ngjarjet pas-zgjedhore si sinjal për vendosjen e një marrëdhënieje më të mirë me Shtetet e Bashkuara dhe pjesën tjetër të botës.”

Drejtori i CIA-s Paneta thotë se udhëheqësit e Iranit nuk kanë vendosur ende nëse duan të prodhojnë armë bërthamore, dhe kjo pasiguri u krijon mundësinë Shteteve të Bashkuara të përpiqen të ndikojnë tek rruga e ardhshme e vendit.

“Mendimi ynë, sipas informacioneve tona, është se ndërkohë që ata përpiqen të zhvillojnë aftësitë bërthamore për energji dhe uranium të gradës së ulët, brenda Iranit po zhvillohet një debat i fuqishëm nëse ata do ta vazhdojnë këtë rrugë .”

Zoti Paneta thotë se rruga që do të ndjekë Irani në fushën bërthamore do të varet nga atmosfera politike e ndryshuar që pas zgjedhjeve presidenciale të qershorit. Në Shtetet e Bashkuara, CIA është kritikuar për përdorimin e teknikave të ashpra të marrjes në pyetje ndaj luftëtarëve të Talebanit dhe al-Kaidës.

Në muajin prill, presidenti Obama premtoi se, për këto teknika, nuk do t’i ndiqte penalisht agjentët e CIA-s, të cilët i kishin marrë urdhërat nga zyrtarë të lartë të administratës së presidentit Bush. Por në muajin gusht, prokurori i përgjithshëm Erik Holder urdhëroi hetime ndaj agjentëve të CIA-s mbi akuzat për abuzimin e të burgosurve. Zoti Paneta, i cili i kundërshton veprimet e zotit Holder, u ka thënë agjentëve të tij të vazhdojnë punën.

“Mendoj se nëse mbetemi peng i politikës të së kaluarës, ajo do të ndikojë tek e ardhmja jonë, dhe te aftësia për të kryer punën. Prandaj, mesazhi im për punonjësit e CIA-s është “le të bëjmë punën tonë, dhe të bashkëpunojmë.”

Nëse e arrijmë këtë, atëherë mund të përballemi me gjithçka që ndodh në krahun politik të Uashingtonit.”Hetimet pritet të përfshijnë punonjës dhe kontraktorë të CIA-s dhe zoti Paneta thotë se ai dhe agjencia e tij do të bashkëpunojnë në këto hetime. //ad//

XS
SM
MD
LG