Lidhje

Reforma në shëndetësi dhe ndikimi tek numri i mjekëve


Ekspertë amerikanë të shëndetsisë thonë se numri i mjekëve patologë do të pakësohet edhe më shumë gjatë viteve të ardhshme, ndërkohë që studentët amerikanë të mjeksisë i shmangen kësaj fushe në favor të praktikave më fitimprurëse, si kardiologjia dhe onkologjia. Por shtimi i numrit të mjekëve të përgjithshëm, që kurojnë sëmundje, duke filluar nga bajamet tek diabeti, shikohet si një hap kyç për përmirësimin e sistemit të kujdesit shëndetsor në Amerikë, parandalimin e sëmundjeve dhe uljen e kostos.

David Ellington është një lloj mjeku i rrallë. Në një vend ku shumë prej mjekëve më të njohur të botës praktikojnë mjekësi shumë të specializuar, zoti Ellington i ka kaluar 20 vjetët e fundit duke u kujdesur për nevoja të ndryshme mjeksore të njerëzve në Lexington të Virginias. Ai nuk dëshiron të zgjedhë një rrugë tjetër.

“I dua njerëzit, të rinj apo të moshuar. Mund të mësosh prej tyre, jetës së tyre, punës që ata bëjnë, pasioneve apo zhgënjimeve të tyre”.

Pacientët e vlerësojnë vemendjen personale që mjeku Ellington u kushton atyre. Jane Patten erdhi tek mjeku duke u ankuar për mpirjen e gishtave të dorës.

“Ajo që e bën atë të veçantë është se ai ulet dhe flet me pacientin”.

Por studimet flasin për një rënie të numrit të studentëve në fushën e patologjisë, duke krijuar ndoshta një mungesë prej 40 mijë mjekësh të tillë në Shtetet e Bashkuara deri në vitin 2020. Dr. Ellington thotë se kjo statistikë nuk e habit.

“Unë paguhem sa një e treta e një mjeku specialist, dermatologu apo disa lloj kirurgësh”.

Dhe kjo diferencë në pagesë ndikon tek mjekët e rinj, që përpiqen të paguajnë huatë e marra për të studjuar në fushën e mjeksisë. Kostoja e studimeve në këtë fushë i afrohet shumës prej 250 mijë dollarëve.

Ellington filloi të praktikonte mjeksinë në forcat e armatosura amerikane në Kaliforni dhe Gjermani. Ndjenja e shërbimit publik e shoqëroi atë edhe në jetën civile. Përveç praktikës së tij, ai ndihmoi në hapjen e një klinike falas, që ofron kujdes shëndetsor për mijëra banorë të varfër të zonës.

Drejtoresha Suzanne Sheridan thotë se kontributi i Dr. Ellington për komunitetin është shumë i çmuar.

“Ai nuk flet rreth asaj që bën. Ne kemi grumbulluar orët e punës vullnetare, që ai bën. Flitet për qindra orë të tilla në vit”.

Dr. Ellington thotë se shpreson që reformimi i kujdesit shëndetsor në Shtetet e Bashkuara të rezultojë në pakësimin e dokumentacionit dhe në sigurimin e kujdesit shëndetsor për të gjithë amerikanët, veçanërisht në patologji.

“Janë bërë studime që tregojnë se nëse shtohet kujdesi i përgjithshëm shëndetsor me një shumë të caktuar, kjo shoqërohet me rënien e vdekjeve, të shtrimeve në spital, të operacioneve, por edhe me përmirësimin e shëndetit të komunitetit”.

Por ai shqetësohet se debati për kujdesin shëndetsor në Amerikë po shoqërohet nga frika dhe informimi i gabuar në vend të një diskutimi të arsyeshëm të nevojave dhe zgjidhjeve.

“Njerëzit kanë frikë se do të humbasin atë që kanë”.

Ndërsa debati acarohet në Uashington dhe në gjithë vendin, Dr. Ellington vazhdon punën, të cilën e quan më tepër si detyrim ndaj publikut se sa punë.

“Në se i hyn fushës së mjeksisë për të bërë para, kjo nuk është një detyrë. Ti nuk je gjithnjë me familjen për të ngrënë darkë, por këtë e bën për një arsye”.//lk


XS
SM
MD
LG