Lidhje

Kosovë: Arrestohen 4 serbë të dyshuar për krime lufte


Policia e EULEX-it në Kosovë ka arrestuar pesë serbë, katër nga të cilët të dyshuar për krime lufte gjatë konfliktit të viteve ’90 në atë zonë.

Në një komunikatë të EULEX-it thuhet se “në një operacion të zhvilluar sot në mëngjes në zonën e Gjilanit, Policia e EULEX-it, e mbështetur nga policia e Kosovës dhe KFOR-i, arrestoi 4 serbë të Kosovës, nën dyshimin për krime lufte. Arrestimi i tyre u urdhërua nga një prokuror i EULEX-it, nën autoritetit e të cilit po vazhdojnë hetimet”.

Zyrtarë të këtij misioni nuk dhanë më shumë hollësi për këtë operacion i cili është zhvilluar në orët e hershme të mëngjesit në komunën e Novo Bërdës një komunë me popullatë të përzier.

Burimet lokale të informimit në gjuhën serbe thanë se gjatë operacionit të sotëm janë arrestuar pesë persona Svetlana Stojanoviç, Dobrivoje Trajkoviç, Sllobodan dhe Sreçko Martinoviç dhe Srgjan Filliç, që të gjitha nga komuna e Novobërdës.

Njëri prej tyre është arrestuar për siç thuhet, pengim të operacionit.

Zyrtarë të EULEX-it thanë se akuzat kanë të bëjnë me trajtim çnjerëzor; shkaktim të vuajtjeve të mëdha apo dëmtim të integritetit trupor ose të shëndetit, zbatim të masave të frikësimit dhe terrorit, si dhe arrestim dhe burgim të kundërligjshëm.

Banorët serb të zonës kanë protestuar kundër arrestimeve ndaj të cilave kanë reaguar edhe zyrtarë të Beogradit të cilët thanë se do të kërkojnë shpjegime nga EULEX-i.

Ndërkohë, në Beograd, autoritetet serbe hapën gjyqin e 17 shqiptarëve të Kosovës të akuzuar për torturimin dhe vrasjen e 150 civilëve serbë në zonën e Gjilanit gjatë konfliktit. Zyrtarët thanë se të paktën 80 civilë janë vrarë ndërsa 34 të tjerë mbeten të zhdukur.

Nëntë nga të pandehurit dolën para gjyqit, ndërsa tetë të tjerët po gjykohen në mungesë.

Në një zhvillim tjetër, autoritetet serbe thanë se kanë zbuluar një sasi të madhe armësh në jug të Serbisë, pranë kufirit të saj me Maqedoninë dhe Kosovën. //bsa//

XS
SM
MD
LG