Lidhje

Integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian


Megjithëse zgjerimi i Bashkimit Evropian është cilësuar si një nga politikat e jashtme më të suksesshme të bllokut 27-anëtarësh, integrimi i Ballkanit Perëndimor mbetet një nga sfidat. Drejtori i përgjithshëm në Komisionin Evropian për zgjerimin, Majkëll Li, bëri një përmbledhje të përparimeve dhe sfidave të bllokut gjatë një diskutimi në Qendrën Udrou Uilson në Uashington.

Një nga fushat ku është bërë përparim në integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian është mundësia e lëvizjes së lirë për Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë. Ndërsa për Kosovën nuk ka ende një plan i qartë integrimi, Shqipëria dhe Bosnje Hercegovina mund t’i shtohen këtij grupi vitin e ardhshëm nëse arrijnë t’i përmbushin kushtet.

"Ne shpresojmë që këto dy vende t’i përmbushin kushtet me përpjekjet e duhura deri vitin e ardhshëm.”

Drejtori i përgjithshëm në Komisionin Evropian për zgjerimin, Majkëll Li thotë se deri tani Shqipëria ka bërë hapa pozitivë në drejtim të arritjes së reformave të kërkuara për liberalizimin e vizave.

“Mendoj se për sa i përket Shqipërisë ka pasur përparim të madh në përmbushjen e kushteve, sidomos në lidhje me zgjedhjet ku është bërë shumë punë për dhënien e kartave të reja të identitetit, dhe mendojmë se nëse vazhdojnë të punojnë për sigurinë e kufijve atëherë do të mund të ecin përpara.”

Por megjithëse zgjerimi konsiderohet si politika e jashtme më e suksesshme e BE-së, zoti Li thotë se integrimi i Ballkanit Perëndimor do të ketë edhe shumë sfida.

Ky rajon ende mban mbi shpinë barrën e mosmarrëveshjeve të pazgjidhura mes shteteve të krijuara nga konfliktet në ish-Jugosllavi.

“Për shembull vështirësitë që dalin nga statusi i Kosovës, dhe qëndrimet e ndryshme të vendeve të rajonit në lidhje me këtë çështje. Disa nga vendet e rajonit e kanë njohur pavarësinë e Kosovës së bashku me 22 anëtarë të BE-së dhe disa jo, ashtu sikurse 5 nga vendet e bllokut. Prandaj, arritja e kompromiseve në organizata rajonale bashkëpunimi është një nga vështirësitë që hasim tani.”

Zoti Li thotë se Bashkimi Evropian është përpjekur ta distancojë integrimin nga problemet mes vendeve të rajonit, megjithëse ka ofruar ndihmë kur ka qenë e nevojshme. Ndërkohë, blloku 27-anëtarësh po harton një raport mbi alternativat e mundshme për integrimin e ardhshëm të Kosovës në Bashkimin Evropian.

Por, me situatën e tanishme ekonomike në botë, integrimi i Ballkanit Perëndimor nuk është peng vetëm i sfidave të mosmarrëveshjeve të brendshme rajonale.

“Disa nga sfidat kryesore që ne vëmë në dukje në raportin tonë që do të publikohet në tetor të këtij viti janë ato që rrjedhin si pasojë e krizës ekonomike dhe financiare. Kriza ka prekur BE-në dhe SHBA-në, por edhe partnerët tanë në Ballkan dhe Turqi.”

Zoti Li thotë se bashkëpunimi ekonomik mes BE-së dhe vendeve në tranzicion është në interesin e përbashkët dhe duhet të vazhdojë për të lehtësuar reformat e nevojshme për integrim.

XS
SM
MD
LG