Lidhje

Sa të sigurt janë telefonat celularë për shëndetin?


Sa të sigurt janë telefonat celularë për shëndetin? Kjo pyetje ka kohë që është shtruar dhe megjithëse nuk ka shenja bindëse se celularët mund të shkaktojnë probleme, disa mendojnë se nuk do të ishte keq të tregoheshim më të kujdesshëm.

Shumica prej nesh thonë se telefonat celularë na e kanë ndryshuar për mirë jetesën. Ata na e kanë shtuar sigurinë personale, na kanë bërë të reagojmë më shpejt ndaj emergjencave dhe na e kanë lehtësuar mjaft komunikimin. Por rrezatimi që këta telefona emetojnë mund të na shtojë rrezikun e prekjes nga tumorët kancerozë të trurit.

Telefonat celularë janë simbole të kohës sonë. Ata përdoren nga 4 miliardë njerëz në të gjithë botën, nga Europa e deri në Azi dhe në Lindjen e Mesme.

Një film kinez me titull “Telefoni celular”, tregon se si jeta e një burri shkatërrohet pikërisht nga celulari, të cilin ai e kishte harruar në shtëpi një ditë. Përmes celularit, gruaja e tij zbulon se ai kishte lidhje me një vajzë tjetër.

Një seancë e Senatit amerikan këto ditë u mor me celularët por jo me ndikimin e tyre në jetën private.

Studiues nga vende të ndryshme bashkë me disa senatorë diskutuan çështjen nëse rrezatimi i emetuar nga celularët mund të shkaktojë vdekjen.

Ata janë dakord me faktin se disa studime e kanë lidhur përdorimin e shpeshtë të celularit me kancerin e trurit.

Mjekja Siegal Sadetzki është këshilltare e ministrisë izraelite të shëndetësisë.

"Mendoj se teknologjia celulare, e cila ka shumë avantazhe, do të vazhdojë të ekzistojë gjatë. Pyetja që kërkon përgjigje është jo se duhet apo jo t’i përdorim celularët por si t’i përdorim ata."

Qeveritë e disa vendeve kanë nxjerrë paralajmërime për përdoruesit e telefonëve celularë.

Linda Erdreich është përfaqësuese e kësaj industrie prej 4 trilion dollarësh. Ajo thotë se nuk ka vend për shqetësime.

"Faktet e tanishme nuk tregojnë se celularët shkaktojnë kancer apo efekte të tjera shëndetësore negative."

Por Teresa Gregorio nuk mendon kështu.

Ajo thotë se e kishte përdorur celularin duke filluar nga mesi i viteve 90, madje kishte hequr dorë fare nga linja tokësore. Në vitin 2008 erdhi lajmi tronditës: ajo kishte një tumor të paoperueshëm në tru.

"E përdorja celularin 2-3 orë në ditë në anën e djathtë, pikërisht aty ku mu shfaq tumori."

Në Amerikë ka rreth 270 milionë përdorues të telefonave celularë. Disa modele celularësh, prodhime të firmave të tilla si Nokia, Apple, Motorola dhe BlackBerry, përfshijnë udhëzime ku rekomandohet që telefoni të mbahet sa më larg trupit, por përgjithësisht industria e celularëve thotë se nuk arësye për shqetësim.

Celularët përdoren nga 70 përqind e adoleshentëve por janë të vegjëlit ata që ekspozohen më shumë se kushdo tjetër nga efektet.

Epidemiologia Devra Lee Davis thotë se fëmijët, duke patur një kafkë më të hollë janë më të rrezikuar.

"Rrezatimi depërton shumë më thellë në kokën e një 5 vjeçari apo 3 vjeçari se sa tek një i rritur. Shkenca duhet të bëjë më tepër përpjekje por do të doja të pyesja: a duam ne ta vemë trurin e fëmijës në rrezik pa e ditur me siguri nëse ka apo jo rrezik nga celulari?"


Megjithëse rezultatet e studimeve për lidhjen me kancerin janë kontradiktore, shkencëtarët po u bëjnë thirrje konsumatorëve që më mirë të marrin masa që tani se sa të pendohen më vonë.

Ideja është që celularët të mbahen sa më larg trupit. Për shembull të përdoren kufje apo që celulari të mbahet në rripin e mesit dhe jo në xhep.

Mesazhet sms janë akoma më mirë sepse kjo e mban rrezatimin larg trupit.

Sancën e kryesoi senatori Tom Harkin, i cili tha se ka filluar të shqetësohet.

"Kjo më kujton përvojën e Amerikës me duhanin. U deshën të kalojnë dekada që nga paralajmërimet e para për cigaret deri kur u arrit përfundimi se duhani shkakton kancerin në mushkëri.”

Në vitin 2000, Administrata amerikane e Ushqimit dhe Ilaçeve, deklaroi se shkencëtarët nuk kanë gjetur efekte të dëmshme për shëndetin që mund të vijnë nga telefonët celularë. Megjithatë, në Shtetet e Bashkuara është duke u kryer një studim mbi rrezatimin e këtyre telefonave. //ii

XS
SM
MD
LG