Lidhje

Sfidat e udhëheqësve botërorë në Pitsburg


Udhëheqësit e 20 vendeve më të fuqishme ekonomike të botës ndodhen në Shtetet e Bashkuara për takimin e G-20. Ata vijnë në një kohë që është vërejtur një farë suksesi në lehtësimin e krizës më të rëndë ekonomike në disa dekada. Por ky grup i larmishëm drejtuesish nga vende të zhvilluara dhe vende të fuqishme në zhvillim ka tani përpara një numër sfidash si hartimin e rregulloreve më të efektshme për sektorin financiar si dhe të vendosin se si të fillojnë t’i reduktojnë dhe eliminojnë shpenzimet qeveritare në ndihmë të ekonomisë.

Bisedimet e Pitsburgut, pritet të përqëndrohen në përparimin e deritanishëm të përpjekjeve për kapërcimin e krizës, në rregullat për të përmirësuar aftësitë parashikuese mbi mbarëvajtjen e tregjeve, pakësimin e rrezikut në investime dhe parandalimin e kolapseve të ardhshme:

Takimit të Pitsburgut i parapriu takimi i ministrave të Financave në Londër në prill ku ata dolën me një marrëveshje që u kërkonte bankave të shtonin sasinë e likuiditeteve për t’u mbrojtur nga investimet dhe kreditë e dështuara.

Kërkesa për të mbajtur rezerva më të mëdha financiare nënkupton rrezik më të ulët, pasi ulet vëllimi i kredive dhe investimeve.

Grupi i 20-shes përfaqëson ekonomitë më të mëdha të botës, qoftë në zhvillim apo të zhvilluara. Deri tani këto vende nuk kanë mundur të bien dakord për rregullat e reja për të kufizuar shpërblimet e mëdha që firmat financiare u paguajnë drejtuesve. Disa ekspertë thonë se shpërblimet e majme e keqësuan më tej rënien ekonomike.

Ministrat evropianë të financave, përfshirë atë të Francës Christine Lagarde, duan vendosjen e kufizimeve të rrepta.

“Ne jemi të vendosur ta ndjekim me vëmendje këtë veprim, sepse ai tepër i rëndësishëm. Rregullatorët financiarë janë tepër të rëndësishëm. Shpërblimet për drejtuesit janë tepër të mëdha dhe ne nuk mund t’i lemë të vazhdojnë në këtë mënyrë.”


Disa bankierë morën shuma të mëdha si shpërblim për masa shumë të rrezikshme që sillnin fitime afat-shkurtra. Në disa raste, këto investime nuk patën sukses, madje ato rezultuan në humbje të mëdha, prandaj qevera ndërhyri, duke i shpëtuar disa nga bankat që ishin në prag të falimentimit.

Franca dhe Gjermani kërkojnë vendosjen e një niveli tavan për shumat e shpërblimeve, ndërsa Shtetet e Bashkuara patën rezerva lidhur me këtë ide. Një grup ekspertësh do t’u paraqesin rekomandimet e tyre udhëheqësve të G 20-shes.

Ndërkohë, ekspertë të ekonomisë, përfshirë Ministrin kinez të Financave Shie Shyren, thonë se ekonomia globale po rimëkëmbet nga kriza që filloi rreth një vit më parë.

Por zoti Shyren thotë se është ende herët të ndërpriten masat qeveritare në ndihmë të ekonomisë. Ndër këto masa përfshihen shpenzime masive për projekte publike që hapin vende pune, si dhe ulje të normave të interesit.

Një çështje kryesore për të cilën duhet të vendosë G-20-shja, është se çfarë forme duhet të marrë paketa e ndihmave qeveritare dhe mënyrat e vënies së saj në zbatim.

Nëse përpjekjet për stimulimin e ekonomisë mbarojnë shumë shpejt, ekonomistët thonë se bota mund të bjerë përsëri në recesion. Nëse ndihmat qeveritare zgjasin për një kohë shumë të gjatë, kjo e shton borxhin kombëtar dhe rrit rrezikun e inflacionit.
Studjuesi Ted Truman në Institutin Peterson thotë se është tepër i rëndësishëm koordinimi mes vendeve të ndryshme.

“Nëse në njërin nga këto vende gjendja ekonomike nuk është e mirë, nëse në Kore ka krizë për shembull, kjo ndikon në mbarë botën. Nëse ka krizë në Brazil, kjo ndikon në vendet e tjera të botës. Një krizë në Shtetet e Bashkuara, siç e pamë ndikon në mbarë botën.”

Kryeministri britanik, Gordon Brown thotë se kjo është arsyeja përse vendet e Grupit të 20-shes nuk duhet të veprojnë më të vetme.

“Përvoja e vitit të fundit na ka mësuar se ka rëndësi që të gjitha vendet të bashkëpunojnë dhe veprojnë bashkarisht.”

Domenico Lombardi, studjues në Institutin Brookings thotë se vendet e G-20 pajtohen kur është fjala tek shkaqet e krizës:

“Problemi është të përpiqen të gjejnë një mirëkuptim për masat më të përshtatshme që duhet të zbatohen për periudhën afat-gjatë, me pikësynimin për rritje të qëndrueshme të ekonomisë globale.”

Claude Barfield i Institutit American Enterprise thotë se takimet në Pitsburg nuk pritet të përfundojnë me ndonjë marrëveshje të rëndësishme:

“Mendoj se takimi do të ketë një efekt pozitiv, psikologjikisht. Por siç kemi mësuar gjatë dy-tre viteve të fundit, ndikimi psikologjik është tepër i rëndësishëm për tregjet.”

Tregjet po ashtu kanë respekt për fuqinë ekonomike dhe ndikohen prej saj, dhe vendet e G-20ëshes bashkarisht, përfaqësojnë 80 për qind të prodhimit ekonomik global, si dhe dy të tretat e popullsisë së botës.//ii

XS
SM
MD
LG