Lidhje

Presidenti Obama: Irani po ndërton një objekt të ri bërthamor


Presidenti amerikan Barak Obama dhe udhëheqësit e Britanisë dhe Francës akuzuan sot Iranin për ndërtimin e një objekti bërthamor sekret dhe kërkuan menjëherë lejimin atje të inspektorëve bërthamorë.

Zoti Obama, kryeministri britanik Gordon Brown dhe presidenti francez Nicolas Sarkozy i bënë këto komente gjatë takimit të nivelit të lartë të grupit të 20-shes në Pensilvani. Udhëheqësit e akuzuan qeverinë e Iranit për ndërtimin fshehurazi të impiantit të nëndheshëm që prodhon karburant bërthamor. Ata këmbëngulën që Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore të lejohet menjëherë të dërgojë atje inspektorët e vet, për t'u siguruar që atje nuk prodhohen armë bërthamore.

Irani e pranoi ekzistencën e impiantit në një letër drejtuar këtë javë Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore.

Zoti Obama tha se vendet perendimore paraqitën dje prova për ekzistencën e impiantit në Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore. Presidenti Obama tha se përmasat dhe konfiguracioni i këtij objekti nuk ka të dhënat e një programi paqësor.//lk

XS
SM
MD
LG