Lidhje

SHBA: Disa senatorë kritikojnë politikën e re për mbrojtjen nga raketat


Disa senatorë amerikanë kritikuan vendimin e Presidentit Barak Obama për të ndryshuar politikën amerikane të sistemit të mbrojtjes nga raketat në Evrope, duke e akuzuar presidentin se braktisi aleatët amerikanë në atë rajon. Zyrtarë të lartë të Pentagonit dhe senatorë të tjerë e mbrojtën strategjinë e re gjatë një seance dëshmish në komisionin e Senatit për shërbimet e armatosura.

Vendimi i Presidentit Obama për të braktisur dislokimin e një sistemi mbrojtës nga raketat, i propozuar nga administrata e presidentit Bush, ishte i papritur për shumë njerëz.

Në bazë të atij plani do të dislokoheshin interceptorë në tokë në Polani si dhe një stacion radarësh në Republikën Çeke për t’iu kundërpërgjigjur kërcënimit të raketave me rreze të gjatë veprimi nga Irani.

Plani i ri i administratës Obama do të kishte si synim mbrojtjen nga raketat me rreze të mesme dhe të shkurtër me një sistem mbrojtës fillimisht në anije.

Në seancën e Senatit, kundërshtarët e këtij plani shprehën zemërim.

“Vendimi i administratës për t’u tërhequr nga angazhimi për dislokimin e këtij sistemi në Republikën Çeke dhe në Poloni vetëm i tregon pjesës tjetër të Evropës se Shtetet e Bashkuara nuk janë gati të mbështesin miqtë e tyre, se Shtetet e Bashkuara e shikojnë rivendosjen e marrëdhënieve me Rusinë si më të rëndësishme se sa angazhimet e bëra me miqtë dhe aleatët e afërt”.

Ish kandidati republikan presidencial, senatori republikan McCain, kritikoi edhe mënyrën se si administrata e presidentit Obama e njoftoi ndryshimin e politikës.

“U desh vetëm një telefonatë në orët e vona të mbrëmjes për t’u thënë miqve tanë se nuk kemi nevojë për ta. Sipas lajmeve, kryeministri polak ishte njoftuar me një telefonatë në mesnatë”.

Por Michele Flournoy, zyrtarja më e lartë e Pentagonit për çështjet politike, mbrojti vendimin e presidentit.

“Ne po qëndrojmë krah për krah aleatëve tanë në Evropën qëndrore dhe lindore, madje në fakt ne po e shtojmë angazhimin tonë në mbrojtjen e tyre në kushte shumë reale. Ndërkohë me siguri që mirëpresim interesimin e Rusisë në politikën e re, si dhe bashkëpunimin e mundshëm rus në ndarjen e të dhënave nga radarët e tyre, kjo nuk ka dhe nuk ka pasur kurrë të bëjë thjeshtë me Rusinë”.

Sidoqoftë, Presidenti rus Dmitri Medvedev përshëndeti planet e Presidentit Obama për të braktisur sistemin e mbrojtjes nga raketat për Evropën, i cili u kundërshtua ashpër nga Moska. (ze)

XS
SM
MD
LG