Lidhje

Nderohen me çmime Marti Ahtisari dhe Fadil Berisha


Ish presidenti i Finlandës Marti Ahtisari tha se Kosova është dhe do të mbetet e pavarur. Fituesi i Çmimit Nobel të Paqes i bëri komentet në një darkë madhështore që shqiptarët e Amerikës organizuan ne Manhatan te Nju Jorkut për nder të tij dhe të fotografit të njohur shqiptaro-amerikan, Fadil Berisha.


Me një mbëmje dinjitoze dje në zemër të Nju Jorkut, Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan nderoi me çmime dy personalitete - negociatorin që luajti një rol kyç në finalizimin e procesit të pavarësisë së Kosovës, Marti Ahtisari dhe fotografin Fadil Berisha, i cili ka zgjedhur rrugën e artit për të bërë të njohura në botë vlerat shqiptare. Eshtë bërë ky një ritual i përvitshëm ku shqiptaro-amerikanët nderojnë me çmime disa nga personalitetet më të njohura në botë që japin kontribut për çështjet e tyre.

Pavarësia e Kosovës në vitin 2008 e realizuar me mbështetjen e fuqishme amerikane ka qenë një arritje monumentale për shqiptarët prandaj ata kanë nderuar shumë nga personalitetet që lidhen me këtë ngjarje. Ish kryenegociatori Ahtisari, njeriu i dalluar për mjeshtërinë diplomatike në kapërcimin e vështirësive dhe pengesave me të cilat përballej pavësia mori çmimin Duart e Shpresës.

Në mënyrë simbolike, cmimi iu dha nga Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu. "Kosova është e pavarur dhe gjithnjë do të jetë e pavarur", tha zoti Ahtisari. Në komentet që bëri për gazetarët, zoti Ahtisari tha se është i kënaqur me disa zhvillime që lidhen me Kosovën: "Jam i kënaqur në kuptimin që gjëja më e rëndësishme për Kosovën ishte anëtarësimi i saj në Fondin Monetar dhe në Bankën Botërore dhe kjo ndodhi. Kjo është një shenjë e mirë për zhvillimin ekonomik", tha ai.

Në darkën e dhënies së cmimeve ishin edhe kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha dhe zëvendëskryeministri si dhe ministri i jashtëm Ilir Meta, të cilët po marrin pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Urimi për qeverinë e re të koalicionit ishte tema e bisedave të tyre me shqiptaro-amerikanët e pranishëm. Zoti Berisha, i cili mbajti më pas një fjalim të gjatë foli për vështirësitë e mëdha që u desh të kapërcehen për arritjen e pavarësisë së Kosovës: "20 vjet më parë, Kosova shihej si çështja më e vështirë për tu zgjidhur ne Europë. Sot Kosova është kthyer në një shtyllë e paqes, stabilitetit në rajon dhe unë si shqiptar e quaj atë si arritjen më të madhe të kombit tonë që nga koha e Skënderbeut", tha kryeministri i Shqipërisë.

Me një rrugë krejt origjinale po prezanton shqiptarët në botë, Fadil Berisha, fotografi i njohur, lentja e të cilët ka kapur jo vetëm disa nga aktoret më të shquara të Hollivudit por edhe bukurinë shqiptare. 2009-a ishte një vit suksesi për Fadilin:"Ky ishte një nga vitet më të suksesshëm për mua, ishte realizimi një ëndrre. Në jetën time gjithnjë kam ëndërruar të ndihmoj që shqiptarët të paraqiten më mirë dhe të jenë të respektuar. Këtë vit, dy shqiptare arritën fitore në konkursin Miss Universe. Kosova, vendi më i ri, zuri vendin e dytë në botë. Ne si shqiptarë kemi vuajtur shumë dhe më parë nuk kemi patur rastin të shfaqim veten tonë. Pra ky është një rast për t'u hapur atyre dyert".

adil Berisha u nderua me çmimin e arritjeve jetësore. Me ndihmën e tij, Marigona Dragusha nga Kosova fitoi vendin e dytë në Miss Universin në Bahamas.

Karmen della Orefice, një bashkëpunëtore e Fadilit është fotomodelja me famë botërore, e cila është bërë fytyra e orëve Roleks në botë. "Kam punuar në industrinë e modës që nga viti 1945. Dhe zakonisht ka qenë dikush nga një vend tjetër që i ka rizbuluar talentet e mija. I jam shumë mirënjohëse Fadilit që më ka përfshirë në fushatën e reklamave për orët Roleks. Ja pra ku kemi një joamerikan por një shqiptar i cili e ka sjellë vemëndjen e Amerikës përsëri tek unë".

Kjo mbrëmje është një ndër ato raste që i bën shqiptaro-amerikanët të ndihen krenarë për veten e tyre dhe të respektuar nga të tjerët.//rd//

XS
SM
MD
LG