Lidhje

Masakër në Guine, policia vret mbi 150 protestues


Një organizatë për të drejtat e njeriut në Guine thotë se të paktën 157 vetë janë vrarë gjatë shtypjes me dhunë të një proteste anti-qeveritare nga autoritetet. Mbi 1 mijë e 200 vetë janë plagosur.

Organizata e Guinesë për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut thotë se numri i të vrarëve vazhdon të rritet ndërkohë që grupet e ndihmave dhe ekipet mjekësore zbulojnë trupa të viktimave të qëlluar për vdekje nga forcat e sigurisë në një stadium në Conakry dje.

Dëshmitarët thonë se forcat e sigurisë qëlluan në ajër dhe më pas në drejtim të turmës me mbi 50 mijë vetë.

Organizata citon dëshmitarë, përfshirë punonjës të shëndetësisë, të cilët përshkruanin skenën e një masakre. Dëshmitarët thonë se protestuesit u qëlluan disa herë radhazi, u goditën me thika e bajoneta dhe gratë u rrahën e u abuzuan seksualisht. Sundimtari ushtarak i Guinesë, Kapiten Musa Dadis Camara pohoi se disa nga ushtarët humbën qetësinë gjatë tubimit që ishte organizuar në protestë të përpjekjes së zotit Camara për të kandiduar për president.//lk

XS
SM
MD
LG