Lidhje

Komisioni amerikan i Helsinkit mbi integrimin e Ballkanit


Bashkimi Evropian, me synimin e tij për t’u zgjeruar e integruar, ka marrë kohët e fundit përgjegjësi më të mëdha për t’i dhënë formë qëndrimit të komunitetit ndërkombëtar ndaj rimëkëmbjes dhe reformimit të Ballkanit. Sfida të reja në Bosnje-Hercegovinë, Kosovë e gjetkë në atë rajon kanë nxitur debatin lidhur me rolin e Shteteve të Bashkuara në Ballkan. Komisioni amerikan i Helsinkit zhvilloi dje në Kongresin amerikan një seancë lidhur me sfidat, me të cilat përballen vendet e Ballkanit Perëndimor.


Zv.ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Stuart Xhons, tha se rajoni i Ballkanit Perëndimor ka ecur përpara, ku të gjitha vendet janë të angazhuara dhe po ndërmarrin hapa drejt antarësimit eventual në Bashkimin Evropian, duke zbatuar reformat e duhura, si e vetmja rrugë drejt integrimit evropian, tha zyrtari amerikan.

Me shpalljen e pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008, kapitulli i fundit i shpërbërjes së ish Jugosllavisë u mbyll.

“Suksesi i Kosovës si një shtet demokratik, i pavarur, tolerant e shumë etnik vazhdon të jetë një faktor i rëndësishëm kritik për stabilitetin në rajon. Pavarësia e Kosovës, është e paktheyshme. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, tha ai, kanë të njëjtin objektiv: forcimi i institucioneve të Kosovës dhe ndihma për të vendosur standarte të njohura nga komuniteti ndërkombëtar. Ashtu si gjithë Ballkani Perëndimor, e ardhmja e Kosovës është integrimi i plotë në Evropë”.

Dhe si rezultat, bashkepunimi amerikan me Brukselin, vendet kryesore të BE-së si dhe institucionet evropiane në Kosovë për të avancuar përparimin e saj, tha zoti Xhons, do të jetë shumë i ngushtë.

Bjorn Lyrvall, drejtor i përgjithshëm i çështjeve politike në ministrinë e jashtme të Suedisë, e cila mban aktualisht presidencën e radhës së BE-së, tha se ndërsa Kosova përballet me sfida të vështira, EULEX-i mund të ndihmojë në këtë proces, madje ai përshëndeti kontributin amerikan si një komponent kritik, që Bashkimi Evropian e vlerëson shumë.

“BE-ja do të vazhdojë angazhimin afat gjatë në zhvillimin e Kosovës. Fakti që BE-ja është e ndarë lidhur me statusin e Kosovës nuk e parandalon Bashkimin që të jetë plotësisht i angazhuar në zhvillimin politik e ekonomik të Kosovës. Shihet qartë se është në interesin e BE-së që Kosova të zhvillohet si gjithë pjesa tjetër e rajonit. Ne shpresojmë që Kosova të ndërmarrë hapat e duhura e të nevojshme drejt integrimit evropian”.

Anëtarët e Komisionit amerikan të Helsinkit bënë thirrje për riangazhimin e Shteteve të Bashkuara në Ballkan, madje kërkuan që udhëheqësit evropianë të hartojnë një rrugë të qartë për integrimin e vendeve të këtij rajoni në BE dhe në NATO. Ata përshëndetën administratën Obama që tregoi angazhimin e saj për stabilitetin në rajon me vizitën e nën-presidentit Xho Biden në rajon në muajin maj.

Lidhur me zgjedhjet e 28 qershorit, në Shqipëri zv.ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit Xhons tha se Shqipëria bëri përparim të dukshëm krahasuar me zgjedhjet e mëparshme, duke përfshirë përmirësimet në regjistimin e votuesve, kartat e identitetit dhe kornizën ligjore.

“Sipas vlerësimeve të ODHIR-it, zgjedhjet e 28 qershorit përmbushën shumicën e standarteve, megjithatë nuk arritën të përmbushnin standartet më të larta të zgjedhjeve demokratike. Fushat në të cilat duhet bërë përmirësim është numërimi i votave, mbulimi i zgjedhjeve nga media dhe presioni i krijuar nga partitë politike”.

Zgjedhjet në Shqipëri i përshëndeti edhe përfaqësuesi suedez, Bjorn Lyrvall.

“Shqipëria ka ecur gradualisht drejt integrimit evropian, proces ky që ka marrë hov gjatë viteve të fundit. Në takimin e ministrave të jashtëm të BE-së këtë muaj ne shpresojmë të arrijmë një marrëveshje për t’ia kaluar kërkesën e shqipërisë për anëtarësimit komisionit përkatës. Por siç treguan edhe zgjedhjet e 28 qershorit, rruga drejt anëtarësimit në BE nuk do të jetë e lehtë. Shqipëria duhet të shtojë reformatnë sistemit juridik, dhe të luftojë më me efikasitet krimin e organizuar dhe korrupsionin”.

Folësit e ftuar në seancë, ashtu si edhe anëtarët e Komisionit amerikan të Helsinkit, shprehen shqetesim rreth gjendjes ne Bosnje-Hercegovine, ku, siç u shpreh edhe nen-presidenti Xho Biden, gjatë vizitës në Beograd në maj të këtij viti, reformat kanë ngecur dhe Bosnja ka marre drejtim te gabuar, duke u larguar nga Evropa.

Dhe lidhur me Serbinë, zv. Ndihmës sekretari i shtetit Xhons përsëriti angazhimin e Uashingtonit për të pasur marrëdhënie të mira me Beogradin dhe për të mbështetur aspiratat e Serbisë për t’u bërë pjesë e institucioneve evropiane e atyre euro-atlantike.

Por në të njëjtën kohë, tha zoti Xhons, Shtetet e Bashkuara presin që Serbia t’i përmbahet angazhimit të saj për të bashkëpunuar me komunitetin ndërkombetar në Kosovë dhe Bosnje dhe të kontribuojë në stabilitetin rajonal. //rd//

XS
SM
MD
LG