Lidhje

Mbledhje strategjike ne Shtëpine e Bardhë mbi luftën në Afganistan


Presidenti amerikan Barak Obama zhvillon sot në Shtëpinë e Bardhë një mbledhje me këshilltarët e tij më të lartë politikë e ushtarakë për të debatuar mbi të ardhmen e luftës në Afganistan.

Në këtë mbledhje strategjike do të marrin pjesë shefi i komandës qendrore David Petraeus, nënpresidenti, sekretari i Mbrojtjes, sekretarja e Shtetit dhe i dërguari i posaçëm i presidentit Obama për Afganistanin.

Komandanti i luftës, gjeneral Stanley Mëkristal, që është udhëheqësi më i lartë ushtarak amerikan në Afganistan, do të marrë pjesë në mbledhje nëpërmjet lidhjes me video.

Administrata Obama ka rishqyrtuar prej javësh strategjinë e luftës në Afganistan në përpjekje për të gjetur një mënyrë të re për zgjidhjen e konfliktit afro 8 vjeçar.

Gjeneral Mëkristal ka kërkuar trupa shtesë për të luftuar kryengritësit talebanë të nxitur nga terroristët e al Kaidës.

Shefi i Natos, Anders Fogh Rasmusen, diskutoi dje strategjinë me zotin Obama. Ai tha se aleanca ushtarake e Natos është e vendosur për të arritur sukses në Afganistan./a/

XS
SM
MD
LG