Lidhje

Gara për Lojrat Olimpike 2016, Obama drejt Kopenhagës


Presidenti Barak Obama niset sonte për në Kopenhagë ku do t’i bashkohet bashkëshortes Mishel, me të cilën do të lobojë në favor të kandidaturës së Çikagos për Lojrat Olimpike të vitit 2016. Zoti Obama pritet të arrijë në kryeqytetin danez nesër në mëngjes për të bërë prezantimin para anëtarëve të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Zonja e Parë ndodhet tashmë në Kopenhagë. Komiteti Olimpik voton nesër për njërin prej katër qyteteve kandidate, Çikago, Madrid, Rio de Zhaneiro ose Tokio.

Të katër qytetet që konkurojnë për Lojrat Olimpike të vitit 2016 po bëjnë përpjekjet e fundit në prag të votimit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Udhëheqës të qeverive dhe personalitete të tjera nga Çikagoja, Madridi, Tokjoja dhe Rio de Zhaneiroja pritet të vijnë në Kopenhagë me idenë se prania e tyre mund të luajë rol vendimtar në votim.

Presidenti Barak Obama do të jetë presidenti i parë amerikan që lobon personalisht për një qytet.

Shtëpia e zotit Obama në Çikago është shumë pranë stadiumit të ardhshëm olimpik dhe ai ka qenë mbështetës i zjarrtë i kandidaturës së këtij qyteti që nga koha kur ishte senator.

Personalitet të tjera po marrin pjesë në fushatën pro Çikagos, mes tyre basketbollisti i njohur Michael Jordan.

"Jam Michael Jordan.Do të dëshiroja t’ju shpreh mirëseardhjen në njërin nga qytetet më të dashura për mua në të gjithë botën. Do të dëshiroja të isha aty sot për t’ju treguar se sa i gëzuar është qyteti i Çikagos për rastin që mund t’i jepet për t’u bërë mikpritës i Lojrave Olimpike të 2016-s."

Gara do të jetë e ashpër dhe diferenca pritet të jetë me vetëm pak vota. Rio dhe Çikago shihen si kandidatër kryesorë.

Rio de Zhaneiro do të ketë për lobim jo vetëm Pelenë, lojtarin e shekullit.

Presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva do të takohet nesër në Kopenhagë me anëtarët e Komitetit Olimpik.

Ai kurrë nuk le rast pa u kujtuar me radhë anëtarëve të Komitetit sa i dëshpëruar është Brazili për t’i marrë këto lojra.

Lojrat Olimpike nuk janë zhvilluar kurrë në Brazil dhe shumë anëtarë të komitetit joshen nga ideja për të bërë histori.

Por Brazili do të duhet të bindë afro 100 anëtarët e Komitetit Olimpik se krimi në zonat urbane do të mbahet nën kontroll.

Madridi, i cili humbi rastin për të marrë lojrat e vitit 2012, beson se është qyteti i përkryer për lojrat e 2016-s.

Në Madrid, rreth 70 përqind e objekteve kanë përfunduar, qyteti ka një sistem të shkëlqyer transporti, ka mbështetje financiare si dhe mbështetjen e padiskutueshme të njerëzve të tij duke përfshirë edhe Mbretin e Spanjës.

Ekipet kombëtare kanë fituar kampionate europiane në futboll dhe basketboll dhe njerëzve u kujtohet mirë organizimi i suksesshëm i Olimpikeve në Barcelonë në vitin 1992.

Edhe Tokio, kryeqyteti japonez po përpiqet fort për të fituar të drejtën e organizimit.

Tokioja ishte mikpritësja e Lojrave të 1964-s dhe luajti rol kryesor në Botërorin 2002, në të cilin ishte mikpritëse së bashku me Korenë e Jugut.

Tokioja thotë se 23 nga 34 objektet e propozuara prej saj janë tashmë gati dhe është siguruar toka për ndërtimin e 11 objekteve të reja.

Organizatorët japonezë thonë se edhe objektet e vjetra do të rinovohen por Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ngul këmbë se disa prej këtyre objekteve do të duhet të kalojnë nëpër një modernizim total për të plotësuar standardet.

Japonezët deklaruan dje se planet e tyre për lojrat e 2016-s mund të shërbejnë si shembull jo vetëm për lojrat e ardhshme olimpike por edhe për qytetet kudo në botë. //rd//

XS
SM
MD
LG