Lidhje

Maqedoni: Hiqet nga qarkullimi enciklopedia


Kryesia e Akademisë maqedonase të Shkencave ka vendosur sot që ta tërheqë enciklopedinë nga qarkullimi. Akademia i ka kërkuar redaksisë që në një afat sa më të shkurtër kohor të bëjë përmirësime të përcaktimeve në lidhje me raportet shqiptaro-maqedonase, për shqiptarët në Maqedoni, për Ali Ahmetin, ish-UCK-në dhe për Nënën Tereze. Akademia ka paralajmëruar përfshirjen edhe të akademikëve shqiptarë dhe shkencëtarë të tjerë të komuniteteve pakicë. Akademia bën të ditur se do të caktojë një takim të jashtëzakonshëm për të shqyrtuar përgjegjësinë e anëtarëve të redaksisë kryesore të enciklopedisë në krye me akademikun Bllazhe Ristovski.

Ndërkohë, paraprakisht, studentët e dy universiteteve në Tetovë, të atij shtetëror dhe të atij të Evropës Juglindore protestuan sot nëpër rrugët kryesore të këtij qyteti në shenjë zemërimi ndaj enciklopedisë së Akademisë maqedonase të Shkencave. Studentët marshuan nën moton: Mos e falsifikoni historinë shqiptare! Ata mbanin në duar parulla me përmbajtje kundër Akademisë maqedonase ndërsa kërkuan që enciklopedia të tërhiqet tërësisht nga qarkullimi.

Pjesëmarrësit në marsh brohorisnin emrat e disave nga personalitetet historike shqiptare, të cilët historianë maqedonas i konsiderojnë si të komunitetit të tyre etnik.

Organizatorët e protestës konsiderojnë se enciklopedia e Akademisë maqedonase përmban një numër faktesh pseudo-shkencore dhe falsifikime të tjera si dhe bën fyerje në bazë etnike kundër shqiptarëve.

Enciklopedia ka nxitur debate të shumta madje jo vetëm ndër shqiptarët. Një pjesë e komunitetit maqedonas nuk pajtohet me të me që aty thuhet se maqedonasit e kanë origjinën sllave ndërsa nuk përmendet çështja antike, për çka pretendon politika aktuale e vendit dhe disa historianë e arkeologë maqedonas. Natoja, në enciklopedi është përcaktuar si një organizatë agresore.

Dje, për të diskutuar mbi këtë botim kontravers, u takuan kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski dhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti i koalicionit qeveritar dhe bënë thirrje që problemet të zgjidhen me dialog.

XS
SM
MD
LG