Lidhje

Sistemi shëndetësor në Gjermani


Tani që antarët e Kongresit janë kthyer në punë, debati rreth reformimit të sistemit të kujdesit shëndetsor në Shtetet e Bashkuara është intensifikuar përsëri. Përkrahësit e një sistemi të tillë universal kërkojnë që sistemi amerikan të jetë si në Evropë, pra qeveria të luajë një rol më aktiv në garantimin e sigurimeve për të gjithë.

Ata që kundërshtojnë ndryshime drastike në sistemin amerikan thonë se angazhimi më i madh i qeverisë dhe garancitë universale shëndetsore do t’i çonin Shtetet e Bashkuara drejt sistemit socialist. Gjermanët kanë sistemin më të vjetër universal të shëndetsisë në Evropë, mbi 100 vjeçar, dhe në përgjithësi ata janë të kënaqur me kujdesin shëndetsor. A mund të mësojë Amerika nga sistemi gjerman?

Kudo që të jetosh, herët e vonë çdo njeri ka nevojë për mjekun e ngandonjëherë edhe për të shkuar në urgjencë.

Por jo gjithnjë. Ulf Geyersbach është gjithnjë e më i shqetësuar rreth kujdesit të përditshëm për dy vajzat, Emma dhe Milla.

Kujdesi shëndetsor është i rëndësishëm dhe dy vajzat janë të mbuluara në bazë të një plani familjar.
“Paraqet kartën e sigurimeve dhe gjithë familja, përfshirë edhe fëmijët, kanë kujdes shëndetsor falas. Nuk bën pagesa të tjera, pavarësisht nëse shkon tek mjeku për kontroll rutinë apo për mjekim apo ilaçe”.

Ashtu si mbi 85 për qind e popullsisë, familja Geyersbach është e siguruar në bazë të sistemit publik shëndetsor të Gjermanisë.
Shumica e njerzve përdorin një prej një sërë kompanish sigurimesh të vendit. Çdo kush paguan një përqindje të rrogës për sigurimet shëndetsore dhe e njëjta shumë paguhet edhe nga punëdhënësi.

Parapagesat dhe shërbimet janë të përcaktuara nga qeveria.
Shërbimet bazë janë të përfshira, si vizitat tek mjeku, ilaçet dhe kurat, megjithëse të rriturit duhet të paguajnë një shumë të vogël për disa shërbime e ilaçe.

I përfshirë është edhe shtrimi në spital. Por ka edhe alternativa të tjera të disponueshme, sigurimet private.

Në përgjithësi zyrtarët shtetrorë, të vetëpunësuarit dhe ata që fitojnë më shumë se 70 mijë dollarë në vit mund të zgjedhin sigurime private.
Sigurimet private kushtojnë më shumë dhe pagesat varen nga niveli i shërbimit që dëshiron të marrë pacienti. Kujdesi shëndetsor bazë është i njëjtë për të gjithë, por sigurimet private paguajnë për shërbime shtesë.

Sigurimet private paguajnë për një dhomë më të rehatshme spitali, qoftë edhe një dhomë, ku babai qëndron me nënën dhe beben, si dhe paguan më shumë që pacienti të vizitohet nga personel më me përvojë.
Në përgjithësi, çdokush në Gjermani ka kujdes shëndetsor, pavarësisht nëse është i papunë ose ndryshon vendin e punës.

Dr. Thomas Kersting, është krye-administrator i grupit Red Cross të spitaleve në Berlin:

“Mentaliteti gjerman është që çdo qytetar i siguruar ka të drejtë të marrë të gjithë kujdesin shëndetsor në çdo kohë dhe për çdo sëmundje apo dhimbje dhe ta marrë këtë kujdes menjëherë”.

Sistemi shëndetsor i administruar nga shteti në Gjermani daton nga fundi i shekullit të 19-të. Ky është një sistem kompleks me plane publike e private sigurimesh, të administruara nga shteti, por që u japin individëve mundësi të mira për të zgjedhur. Në përgjithësi, sistemi lavdërohet.

Megjithatë ky sistem ka probleme, ndërkohë që ka edhe ankesa rreth sistemit me dy alternativa mbulimi, madje disa njerëz mendojnë se njerëzit me sigurime private marrin kujdes më të mirë e më të shpejtë shëndetsor dhe si rezultat janë më të shëndetshëm.
Ngritja e kostos dhe e plakja e popullsisë shtojnë kërkesat mbi sistemin dhe kjo shqetëson kompanitë e sigurimeve.

“Nëse mbulimi i pacientëve nuk ka kufizime, natyrisht që ky sistem nuk mund të financohet në të ardhmen."

Shumë gjermanë thonë se shkurtimet e shërbimeve janë të pashmangshme dhe gjithnjë bëhet debat rreth balancimit të shërbimeve shëndetsore me ngritjen e kostos, shtimin e kërkesave dhe pakësimin e të ardhurave.

Ulf Geyersbach nuk dëshiron shkurtimin e shërbimeve, por ai shikon një zgjidhje tjetër.
“Do të doja që sigurimet private të eliminoheshin sepse nuk e kuptoj pse një përqindje e vogël e popullsisë të ketë privilegje në kujdesin shëndetsor krahasuar me pjesën tjetër të popullsisë”.

Por zoti Geyersbach mendon se një alternativë e tillë nuk ka të ngjarë të bëhet realitet. Madje ai mendon se nuk ekziston vullneti politik për një gjë të tillë.

Gjermanët shpesh flasin për solidaritet në shoqëri, se çdokush ka përgjegjësi dhe asnjeri nuk duhet lënë mënjanë. Është një ndjenjë e fortë, thotë Ulf Geyersbach, megjithatë ai e ka të qartë se realiteti i balancimit të kostos dhe shërbimeve ka të ngjarë të ndikojë tek brezat e ardhshëm. //mm//

XS
SM
MD
LG