Lidhje

Deputetë kosovarë njihen me përvojën amerikane


Për një vend të ri si Kosova, organizimi dhe funksionimi i institucioneve përballet shpesh me vështirësi dhe pikëpyetje. Këtë i thanë dje Zërit të Amerikës një numër deputetësh të parlamentit të cilët ishin këtë javë në Uashington për t'u njohur me përvojën e Kongresit amerikan në aspektin e funksionimit të komisioneve të tij.

Ky ishte një grup që përfaqëson parti të ndryshme politike në kuvendin e shtetit më të ri të botës.

Interesimi i tyre kryesor ishte të mësonin se si strukturohen dhe funksionojnë komisionet në Kongresin amerikan.

Organizimi dhe mbikqyrja e procesit buxhetor në kuvend është një çështje kritike për Kosovën dhe kjo ishte temë me rëndësi për ligjvënësit nga Kosova.

Një shtet i sapokrijuar mund të ketë dëshirën për të patur ato mekanizma kontrolli që ekzistojnë në Amerikë por tani për tani kjo nuk është e mundur, thotë Gani Koci, kryetar i komisionit të buxhetit në kuvendin e Kosovës:

"Qeveria është si të thuash i zoti i shtëpisë, ai që harxhon paratë dhe ne jemi të interesuar që paraja të harxhohet me vend, ashtu siç ka vendosur kuvendi. Ndoshta e keqja më e madhe është se ne në kuvend nuk kemi një mekanizëm të veçantë të kontrollit të harxhimeve buxhetore."

Besa Gaxherri është anëtare e të njëjtit komision.

"Kjo vizitë studimore e jona është aq e mirseardhur por ndonjëherë kthehet edhe në dëshpërim sepse vërtet ne shohim veten që jemi shumë mbrapa dhe kemi probleme të ndryshme, të mëdha, ndonjëherë të arsyeshme, ndonjëherë të paarsyeshme. ... Është krejt e saktë që ne jemi një shtet i ri por qoftë zhvillimi ekonomik global qoftë dëshira jonë për t'u integruar shpejt në bashkësinë evropiane bën që ne nuk na pret koha." - thotë ajo

Haki Shatri, anëtar i komisionit të buxhetit dhe financave është kritik i qeverisë përsa i përket defekteve në shpenzimet dhe procedurat buxhetore. Por Kosova, thotë ai, është një vend që ka nevojë për t'u ndihmuar.

"Në ndërtimin e kapaciteteve qoftë të politikave fiskale dhe të sistemit buxhetor na kanë ndihmuar mjaft agjencitë amerikane si NDI, USAID etj, të cilat kanë identifikuar vendet që kanë më shumë nevojë në këtë drejtim." - thotë ai

Krahasuar me shumë vende të tjera, Shtetet e Bashkuara kanë buxhete të mëdha që e favorizojnë mjaft zbatimin e ligjit. Në Kosovë, thotë Bahri Hyseni, kryetar i komisionit për legjislacionin, hartimi dhe zbatimi i ligjeve është një problem që varet shumë nga buxheti i pamjaftueshëm por jo vetëm nga kjo.

"Për shkak të situatës që kemi patur, kemi patur lloje të ndryshme të ligjeve: ligje që kanë dalë nga zyra e Përfaqësuesit Special, pastaj ligjet e aplikueshme që kemi përdorur si dhe ligjet e Kuvendit. Ka qenë kjo ndoshta ngatërresa më e madhe që na ka sjellë në këtë situatë që të mos kemi zbatim shumë praktik të ligjeve në Kosovë." - tha zoti Hyseni

Myzejene Selmani është kryetare e komisionit të Kuvendit për Tregtinë dhe Industrinë.

"Pamë se si funksionojnë politikat e taksave dhe të energjisë, ishte duke u përgatitur projektligji për ndryshimet klimaterike. Do të jem në vëzhgim të vazhdueshëm për të marrë përvojat më të mira për qytetarët e mij në Kosovë." - shton ajo

Ismet Beqiri, kryetar i komisionit për të drejtat e njeriut thotë se anëtarët e Kongresit kanë stafe mjaft të kompletuar dhe kjo ua lehtëson punën por shumë gjëra mund të zbatohen edhe në Kosovë.

"Ishim në një seancë dëgjimore për të parë praktikisht se si funksionon komisioni. Sigurisht që ka dallime por jo dhe aq substanciale që nuk mund të aplikohen në Kosovë." - thotë z. Beqiri

Vizita u organizua nga Partneriteti i Kongresit për Demokraci, një zyrë në Uashington që ka për qëllim të njohë ligjvënësit e vendeve në tranzicion me funksionimin e legjislaturës në Shtetet e Bashkuara.

Xhon Lis, është drejtor i stafit në këtë zyrë. Ai thotë:

"Ne shpresojmë se kjo do të jetë e dobishme për anëtarët e kuvendit të Kosovës për të mësuar nga ky aspekt i përvojës amerikane gjëra që mund të jenë me vlerë për punën në vendin e tyre."

Deputetët nga Kosova patën takime me kongresmenë dhe me stafet e disa anëtarëve të Kongresit. //mm//


XS
SM
MD
LG