Lidhje

Dhitë përdoren për pastrimin e tokave nga barërat e këqija


Me stomakun e tyre me katër të ndara dhe me dëshirën e pangopur për të përtypur gjithshka, dhitë po fitojnë besimin për pastrimin e tokës nga barërat e këqija. Për këtë arsye, lëvizjet ambjentaliste, kanë propozuar një mënyrë të re për eliminimin e barërave të dëmshme: marrjen me qira të dhive. Deri tani, rezultati duket shumë i mirë për të gjithë.

Këto punëtore të uritura janë shumë të efektshme. Ato hanë shumicën e ditës, duke përtypur ferrat dhe ndjehen shumë të lumtura që e bëjnë këtë punë. 50 dhi dhe dy kecat e tyre, i kanë sjellë këtu në Carrol County, të shtetit Merilend, për të pastruar nga barërat e këqija dy hektarë tokë moçalore.

Jim Wilds është bariu i tyre. Fillimisht atë e punësuan për ta rrethuar tokën me gardhe, por ai përfundoi duke blerë 350 dhi, për t'ia dhënë ato me qira disa klientëve këtu dhe në toka të tjera. Deri tani ky biznes i ri duket premtues.

"Në kushtet kur një numër më i madh njerëzish nuk duan të përdorin lëndët fosile si burim energjie, mendoj se kjo mund të jetë një mënyrë që duhet marrë në konsideratë." - thotë ai

Wilds thotë se ai vjen për t'i kontrolluar dhitë dy herë në javë, për t'u siguruar se ato janë mirë me shëndet dhe se janë duke e kryer punën.

Xhuli Slaikom është biologe në Shërbimin amerikan të Peshkut dhe Rezervateve Natyrore.

Ajothotë se kjo është stina e dytë e verës që i kanë dhitë dhe se kanë në plan ta vazhdojnë kontratën e tyre për disa vjet të tjerë.

Disa organizata lokale dhe ambjentaliste, u janë bashkuar përpjekjeve për të paguar një dollar në ditë për çdo kafshë. Dhitë janë pjesë e një projekti për restaurimin e mjedisit ku jetojnë breshkat moçalore, breshkat më të vogla të Amerikës Veriore. Ferrat e kanë ndryshuar së tepërmi mjedisin ku banojnë breshkat, duke lëshuar rrënjë të mëdha që ja marrin ujin tokës, si dhe krijojnë hije të padëshiruara.

"Breshka e moçaleve është në listën e specieleve të rrezikuara dhe mjedisi ku ato jetojnë është tepër i rrallë."

Ajo thotë se përdorimi i makinerive, apo i spërkatësve për bimët e dëmshme mund t'i rrezikojë breshkat, prandaj dhitë janë një alternativë e shkëlqyer.

"Kjo është patjetër zgjidhja më e mirë, dhitë punojnë për ne. Ne vijmë, i kontrollojmë për t'u siguruar se janë mirë me shëndet, por punën e kryejnë ato."

Disa milje larg, një tjetër zonë moçalore po restaurohet për breshkat moçalore. Një ekip punonjësish nga shteti i Merilendit vijnë këtu rregullisht për të kontrolluar jo vetëm breshkat, por edhe dhitë, edhe delet. Bill Branch punon në administratën e Merilendit.

"Kjo është një zonë e madhe, prej 3,2 hektarësh. Dhive u pëlqen ta kalojnë pasditen në hije, (nën pemë). Por ne shkojmë, i thërrasim dhe ato vijnë."

Shfrytëzimi i dhive, deleve dhe bagëtive, bëhet në kuadrin e lëvizjeve ambjentaliste për pakësimin e përdorimit të karburanteve nga fosilet dhe të kimikateve. Në Kaliforni, delet pastrojnë rreshtat e vreshtave, ndërsa bagëtia han barërat, që në të kaluarën kanë shkaktuar zjarre.//mm//



XS
SM
MD
LG