Lidhje

Refugjatët palestinezë ëndërrojnë të kthehen në trojet e tyre


Dy shtete krah njeri tjetrit, dy vende për dy popuj, këto janë kushtet e pritshme për t'i dhënë fund konfliktit izraelito-palestinez dhe themeli i paqes në Lindjen e Mesme. Ky proces ndesh në shumë pengesa dhe jo më pak të rëndësishme janë pretentimet e të dy palëve për tokën.

Për palestinezët ato kanë të bëjnë me të drejtën e mbi 4 milionë njerëzve për t'u kthyer në trojet e tyre, të larguar së andejmi pas themelimit të Izraelit në vitin 1948. Shumë palestinezë thonë se preferojnë zgjidhjen me një shtet, demokratik dhe laik që do të përfshinte Izraelin dhe Bregun e Pushtuar dhe që do t'u krijonte mundësi refugjatëve palestinezë të kthehen në fshatrat e tyre që tani janë pjesë e Izraelit.

Në vazhdim do t'ju njohim me historinë e një familjeje palestineze që tani jeton në Libanin e Jugut, por ëndërron të kthehet në shtëpinë e vet.

Nga larg duket se jeta në këto kodra dhe ullishte nuk ka ndryshuar në mijëra vjet. Për Ahmad Sa'adin kjo është një ëndër e largët që ai është përpjekur të rikrijojë .

"Ky është fshati im në 1948-n. E mbaj mend.Kjo ka qënë shtëpia ime që nga 1871-shi". - thotë ai

Zona ishte Taitaba, një fshat palestinez i mirëorganizuar bujqësor që tani është Izraeli i Veriut.

Ahmad Sa'adi ishte vetëm shtatë vjeç, kur familja e tij u largua prej andej në vitin 1948, gjatë luftës së parë arabo-izraelite. Llogaritet se mbi 700 mijë palestinezë u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre për shkak të dhunës.

84 vjeçari, Mohamed Sa'adi kujton.
"Më 15 maj, Mbreti i Jordanisë na tha të largoheshim se zona do të bombardohej për të vrarë hebrejtë. Kështu ne mblodhëm plaçkat dhe u larguam".

Mohamed Sa'adi thotë se njeh disa njerëz që u dyrtuan nga largoheshin nga milicia izraelite, paraardhësja e ushtrisë së sotme izraelite. Për palestinezët kjo ishte "Naqba", "katastrofa". Për Izraelitët ishte lufta e tyre për pavarësi.

Mohamedi thotë se banorët e Taitabës prisnin të ktheheshin pas asaj që mendonin të ishte një ofensivë e shkurtër arabe.

Por nuk ndodhi ashtu. Shumë banorë si Sa'adis përfunduan në mërgim.

Sipas statistikave, mbi 4 milionë refugjatë palestinezë të regjistruar me Kombet e Bashkuara e gjejnë origjinën e tyre në ngjarjet e 1948-s.

Familja Sa'adi u vendos në jug të Bejrutit dhe e filloi jetën nga e para, duke gjetur punë, krijuar familje të reja dhe duke ritur fëmijë e nipër e mbesa. Por edhe sot ata kanë disa sende që i prunë me vete, të cilat i ruajnë me krenari, edhe pse kanë harruar shumë gjëra të tjera.

"Mendoj për këtë vend çdo ditë. Dua që kujtimet e tij të kalojnë nga një brez në tjetrin".

Nuk ka rëndësi se zona banimi si Taitaba në realitet nuk ekzistojnë më. Izraelitët e shkatërruan fshatin dhe shumë fshatra të tjera arabe pas luftës së 48-s.

Zgjidhja me dy shtete, një për palestinezët dhe një tjetër për izraelitët, është diskutuar shumë nga komuniteti ndërkombëtar, por edhe nga qeveria e re izraelite, megjithëse me hezitim. Por Izraeli këmbëngul për identitetin e tij si vend hebraik. Por e shoqja e Ahmad-it, Alia Sa'adi nuk është e interesuar në zgjidhjen me dy shtete.

"Do të doja të anulloheshin të gjitha marrëveshjet e paqes, sepse ato nuk kanë dhënë rezultate. Unë do të jetoja më mirë në një vend demokratik dhe laik. Unë do të jetoja pa problem krahas izraelitëve, në fshatin tim, në shtëpinë time, në Izrael, po të kisha të gjitha të drejtat". - tha ajo

Për Ahmad Sa'adin këto kanë pak rëndësi, por ai pret që një ditë të kthehen në Taitaba sëbashku me familjen e tij.

"Natyrisht që do të kthehemi".
"Një fjalë e urtë arabe thotë se asnjë e drejtë nuk vdes, për sa kohë që dikush e kërkon atë. Prandaj kam shpresë se ne do të kthehemi".


Ëndërra kthimit mund të jetë e largët, por ende e gjallë. //mm//


XS
SM
MD
LG