Lidhje

Jorgo Papandreu, kryeministri i ardhshëm i Greqisë


Udhëheqësi socialist grek Jorgo Papandreu, që duket se ka fituar zgjedhjet e djeshme u tha përkrahësve se ai mendon ta drejtojë vendin në rrugën e rimëkëmbjes, zhvillimit dhe të resë. Zoti Papandreu, bir dhe nip kryeministrash ka premtuar një paketë stimujsh prej 4.4 miliarda dollarësh për të rigjallëruar ekonominë. Kryeministri konservator Kostas Karamanlis e pranoi humbjen dhe dha dorëheqjen si kreu i Partisë së tij Demokracia e Re. Por le t’i hedhim një vështrim njeriut që duket se do të drejtojë Greqinë për mandatin e ardhshëm.

57-vjeçari George Papandreu, udhëheqës i Pasokut, parti e themeluar nga i ati, Andreas Papandreu, pritet të bëjë betimin si kryeministër javën e ardhëshme.

"Është një nder i madh që ndjej për të patur besimin dhe mandatin e popullit grek, një mandat për ne të gjithë që të hapim një faqe të re.”

Dy vjet më parë, George Papandreou ishte në krye të Partisë Socialiste greke kur ajo arriti rezultatet më të ulta zgjedhore në tre dekada. Papandreu u quajt në atë kohë një politikan i pazot.

Bir dhe nip kryeministrash, Papandreou shihej nga kritikët si një hije e zbehtë e të atit të tij karizmatik Andreas Papandreou, i cili e drejtoi Pasokun me dorë të fortë në tre fitore elektorale, nga viti 1981 deri më 1996.

Shumë analistë e quajnë rezultatin e së dielës më tepër një humbje të qeverisë së djathtë se sa një triumf personal për Papandreun, megjithatë ai fitoi me një rezultat bindës duke marrë një shumicë të sigurt parlamentare.

Kështu, kjo parti vjen në fuqi përsëri pas pesë vitesh qeveri konservatore.

Pak njerëz e prisnin këtë rezultat në vitin 2007, kur Papandreou përballoi një sfidë të vërtetë pas disfatës së dytë me radhë të Pasokut në duart e konservatorëve.

Kur ishte deputet i ri në mes të viteve 80, ai shkroi një seri artikujsh ku parashtronte vizionin e një partie moderne dhe distancohej nga disa prej politikave të të atit. Por ai nuk harroi të mbështetej te trashëgimia politike e familjes kur u bë udhëheqës i partisë.

Ai kishte padyshim mbështetjen e palëkundur të admiruesve të Andreas Papandreout në garën me rivalët e tij dhe i mënjanoi njerëzit që kishin bërë emër nën administrat e mëparshme socialiste dhe ngriti të tjerë që ishin relativisht të panjohur, duke u përpjekur t’i vinte vulën e tij Pasokut.

Papandreou u lind më 16 qershor 1952, në Saint Paul, të shtetit Minnesota, ku i ati ishte profesor ekonomie dhe ishte martuar me amerikanen Margaret Chant.

Vitet e hershme i kaloi në Shtetet e Bashkuara dhe një pjesë të rinisë jashtë vendit. I ati ishte kthyer në Greqi dhe kishte hyrë në politikë në vitet 60, prej nga mërgoi më pas gjatë viteve të diktaturës, 1967 deri më 1974.

”Nëse Greqia do të kishte përshkruar një jetë politike normale, unë mund të mos i kisha hyrë politikës. Por vetë fakti që unë kisha kaluar përmes ndryshimeve të mëdha, përmes luftrave dhe polarizimeve shumë të vështira, si dhe përmes barbarizmit të diktaturave, kjo më bëri të ndjej se ne duhet ta ndryshonim këtë vend."

Greqishtja është gjuhë e dytë për Papandreoun dhe ai është kritikuar shpesh se nuk e fliste shumë mirë atë.

Xhorxh papandreu ka mbaruar për sociologji në Shtetet e Bashkuara dhe ka një master nga Shkolla Londineze e Ekonomisë. Për herë të parë u zgjodh në parlament në vitin 1981 në moshën 29 vjeçare.

Papandreou ka mbajtur poste të ndryshme në qeveri. Ai ka qenë ministër i jashtëm mes viteve 1999 dhe 2004.

Në janar 2004, kryeministri i atëheshëm socialist Costas Simitis, dha dorëheqjen pas rënies në anketa dhe Papandreu u zgjodh si pasues i tij.

Por humbja e tij ndaj Karamanlisit në vitin 2004 dhe distancimi i tij nga qeveria Simitis e ftohu entuziazmin e fillimit dhe i tensionoi marrëdhëniet e tij me një pjesë të partisë socialiste.

Pas fitores në zgjedhjet e së dielës, Karamanlis i telefonoi Papandreout për ta uruar. Presidenti amerikan Barak Obama gjithashtu i shprehu urime zotit Papandreu duke thënë se pret me padurim që të bashkëpunojë me udhëheqësin e ri grek. Zoti Obama dërgoi gjithashtu urimet për grekët që morën pjesë në votim. //bsa//

XS
SM
MD
LG