Lidhje

E drejta për tokën për izraelitët dhe palestinezët


Gjatë luftës për krijimin e Izraelit, mijëra palestinezë u larguan ose u dëbuan nga fshatrat e tyre, të cilat tani janë pjesë e shtetit izraelit. Në rrënojat e fshatrave arabe, imigrantët hebrenj krijuan një shtet të ri dhe ndërtuan jetën e re ku ata nuk përndiqen më. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Luis Ramirez vizitoi zonën ku dikur shtrihej fshati arab i Taitabës në veri të Galilesë, dhe sjell historinë e një familjeje hebraike që ka gjetur Tokën e Premtuar në mes të rrënojave.

Hamisa Shalom dhe gruaja e tij Galia shohin fotografitë dhe kujtimet e vendit të tyre të lindjes, Libisë.

Por ata nuk kanë kujtime të bukura, vetëm frikën e persekutimit në një tokë të dominuar nga myslimanët arabë. Ajo kujton se si një njeri i rrethoi ata dhe familjet e tjera hebraike, i çoi në xhami, dhe kërcënoi se do t’i vriste nëse ata nuk konvertoheshin në fenë islame.

Galia përshkruan se si kur ishte fëmijë kishte parë përdhunimin sistematik të grave dhe vajzave hebraike nga ushtarët myslimanë që ishin vënë për t’i mbrojtur ato.

“Ushtarët sudanezë hynin në shtëpitë e hebrenjve, i merrnin vajzat dhe gratë një nga një, i fusnin në kuzhinë dhe i përdhunonin, nga tre apo katë ushtarë njëherësh.”

Pas krijimit të shtetit të Izraelit në vitin 1948, familja Shalom u lejua të kthehej në një vend të sigurt në ish territorin e Palestinës.

Për mbi 60 vjet ata kanë punuar shumë, kanë krijuar një fermë dhe kanë rritur 11 fëmijë duke ndërtuar një jetë nga hiçi, pikërisht në një tokë, të cilën ata si hebrenj, besojnë se u ishte premtuar nga Zoti. Galia Shalom thotë se Zoti e ka mbajtur premtimin.

“Ishte një ëndërr. Ishte ëndërr që erdhëm në tokën e Izraelit. Kur isha e vogël shikoja qiellin dhe mendoja: shpresoj të shkoj në Jeruzalem dhe të vdes atje.”

Kjo ëndërr është ndërtuar në një tokë, e cila deri para gjashtë dekadash ishte vendi i arabëve.

Këto janë mbetjet e fshatit arab të Taitabës, i cili u hodh në erë pasi banorët e tij u larguan nga luftëtarët hebrenj në vitin 1948.

Familjet arabe të Taitabës kanë ikur, por gurët ruajnë kujtimet e atyre që jetonin aty dikur.

Ky arab kujton kohën kur Taitaba dhe ullishtet e saj lulëzonin.

Kjo pemë ulliri, thotë ai, është dëshmitare. I mbytur nga emocionet, fjalët e tij kthehen në poezi.

“Ata mendonin se duke të lënë të thahesh, ne do të të harronim. Unë do të kthehem, dhe do të kujdesem për ty. Unë do të bëj që ti të rritesh dhe lulëzosh përsëri.”

Por kthimi në Taitaba dhe shumë fshatra të tjerë arabë mund të mos ndodhë kurrë.

Familja Shalom thotë se lutet për paqe, ashtu sikurse luteshin që një ditë të ktheheshin në liri në tokën e Izraelit, prej nga paraardhësit e tyre ishin larguar dy mijë vjet më parë.

“Pavarësisht nga vështirësitë, qënia këtu na ka bërë të lumtur. Ky është atdheu ynë, vendi ynë dhe ne nuk largohemi. Nuk kemi vend tjetër.”

Ashtu si familjet arabe që u dëbuan para 60 vjetësh, edhe familja Shalom, shpreson të vdesë në tokën që ata e konsiderojnë të drejtë të lindur për ta dhe brezat e tyre të ardhshëm. //bsa//

XS
SM
MD
LG