Lidhje

Tiranë: Fondi shqiptaro-amerikan krijon fondacion të ri


Fondi shqiptaro-amerikan i ndërmarrjeve njoftoi sot në Tiranë krijimin e një fondacioni jo fitimprurës për Shqipërinë me një kapital fillestar prej 100 milion dollarësh.

Kryetari i bordit të drejtorëve të fondit Michael Granoff tha se qeveria amerikane përmes Usaid dhe departamentit të shtetit ka miratuar ngritjen e këtij fondacioni i cili do të përdorë fondet e veta për të nxitur dhe mbështetur zhvillimin e sektorit privat. Sipas zotit Granoff ky fondacion do të jetë institucioni më i madh jo fitimprurës që Shqipëria ka patur ndonjëherë. Përmes tij do të mbështeten katër drejtime kryesore: zhvillimi i arsimit, sipërmarrja private, zhvillimi i kapaciteteve udhëheqëse si dhe zhvillimi i turizmit kulturor dhe ekoturizmit.

Fondi shqiptaro-ameikan i ndërmarrjeve është një nga eksperiencat më të suksesshme të investimeve. Ai nisi 14 vjet më parë me një kapital prej 30 milion dollarësh dhe falë investimeve në sektorë të rëndësishëm vlera e tij ka arritur sot në mbi 100 milion dollarë. Fondi ngriti Bankën Amerikane të Shqipërisë si dhe është aksioner ndër të tjera në konsorciumin që administron aeroportin Nënë Tereza, në kompaninë e sigurimeve Sigal apo dhe në shoqërinë që prodhon dokumentat e identitetit. //ii

XS
SM
MD
LG