Lidhje

Itali: Shqyrtohet ligji i imunitetit që mund të implikojë Berluskonin


Gjykata Kushtetuese e Italisë filloi sot të shqyrtojë nëse një ligj i cili e mbron kryeministrin Silvio Berluskoni nga ndjekja penale është antikushtetues. Një vendim i Gjykatës Kushtetuese për ligjin e vitit 2008, i cili i jep imunitet presidentit, kryeministrit dhe kryetarëve të të dyja dhomave të parlamentit kur ata janë në detyrë, mund të merret brenda kësaj jave.

Një vendim kundër Berluskonit do kishte mjaft implikime për kryeministrin dhe për qeverinë ndërkohë që opozita thotë se vendi ndoshta ka nevojë për zgjedhje të reja.

Ligji i imunitetit hyri në fuqi vitin e kaluar, menjëherë pas zgjedhjes së Berluskonit për herë të tretë në postin e kryeministrit. Kur u miratua ligji, ndaj zotit Berluskoni vazhdonte çështja gjyqësore në Milano, ku ai akuzohej për korrupsion.

Gjyqi u pezullua në pritje të shqyrtimit të çështjes nga Gjykata Kushtetuese.

Në fakt, ligji pezulloi një numër çështjesh penale kundër Berluskonit. Në njërën prej tyre, ai akuzohej se kishte paguar një britanik për të dhënë dëshmi të rreme gjatë dy gjyqeve të viteve 90.

Nëse Gjykata Kushtetuese arrin në përfundimin se ligji është antikushtetues, procesi mund të rifillojë duke bërë që një udhëheqës i zgjedhur t’i nënshtrohet gjyqit për korrupsion.

Zoti Berluskoni i ka mohuar akuzat dhe aleatët e tij politikë thonë se do ta mbrojnë kryeministrin pavarësisht nga vendimi i gjykatës.

Por avokatët e zotit Berluskoni thonë se ai mund të duhet të japë dorëheqjen nëse Gjykata Kushtetuese vendos kundër tij pasi nuk do të ishte në gjendje të ushtronte funksionet e kryeministrit.

Avokati i zotit Berluskoni Gaetano Pecorella tha se shpreson që Gjykata të arrijë në përfundimin se ligji është kushtetues pasi fjala është për një çështje teknike dhe jo politike.

"Ka aspekte të reja dhe të rëndësishme juridike prandaj ne shpresojmë që gjykata të vendosë me qetësi të madhe duke marrë parasysh aspektet juridike dhe duke harruar çështjet politike,”
tha zoti Pecorella para se të hynte në Gjykatën Kushtetuese.

Një vendim në favor të zotit Berluskoni do ta forconte qeverinë e tij e cila është ndodhur vazhdimisht nën kritika të ashpra për shkak të problemeve personale të kryeministrit, duke përfshirë një skandal seksual, i cili ka dominuar median prej muajsh. //ii

XS
SM
MD
LG