Lidhje

Diskutohen hollësitë e protokollit EULEX-Serbi


Zyrtarë të Misionit të Bashkimit Evropian për policinë e drejtësinë në Kosovë, janë takuar sot në Beograd me autoritetet e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, për diskutuar zbatimin e protokollit për bashkëpunim policor, që ishte nënshkruar në fillim të muajit shtator.

Nuk janë bërë të ditura rezultatet e takimit të parë, që sipas zyrtarëve të EULEX-it, ka për qëllim përcaktimin e hollësive për zbatimin e këtij protokolli.

Nënshkrimi i këtij dokumenti kishte nxitur reagime të ashpra në Kosovë, të cilat u pasuan edhe me protesta në rrugë. Autoritetet në Prishtinë thanë se nuk do të pengojnë por as nuk do të zbatojnë këtë dokument. Sipas tyre, Prishtina nuk ishte palë nënshkruese dhe rrjedhimisht nuk ka asnjë detyrim ndaj tij.

Zyrtarë të EULEX-it thonë se protokolli për bashkëpunim policor, synon shkëmbimin e informacioneve me policinë serbe në funksion të luftës kundër krimit të organizuar dhe veprimtarive të tjera të paligjshme.

Autoritetet në Prishtinë thonë se lufta kundër krimit shtron nevojën e bashkëpunimit të domosdoshëm ndërmjet vendeve të rajonit, por vendosja e këtij bashkëpunimi është çështje e qeverive sovrane.

XS
SM
MD
LG