Lidhje

Protesta në Stamboll për takimin vjetor BB-FMN



Protestat vazhduan edhe sot në Stamboll të Turqisë, ku po zhvillon takimin vjetor Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore. Megjithë një numër arrestimesh gjatë protestave, herë herë të dhunshme, politikanët dhe ekonomistët e institucioneve huadhënëse të botës thanë se po bëjnë përparim në plotësimin e kërkesave të vështira nga vendet e varfëra të botës.

Policia turke përdori sot përsëri pompat e ujit dhe gaz lotsjellës në përpjekje për të shpërndarë demonstruesit, që protestuan për të dytën ditë kundër takimite vjetor të FMN-së dhe Bankës Botërore. Dhjetra protestues me maska u vunë zjarrin disa bankave dhe dyqaneve aty pranë, madje qëlluan me gurë forcat policore në rrugët e Stanbollit.

Policia u konfrontua me protestuesit, duke qëlluar në ajër dhe duke përdorur pompat e ujit dhe gaz lotsjellës.

Rreth 150 protestues u grumbulluan rreth një kilometër larg godinës, ku zhvillohet takimi, duke thirrur, “FMN, largohu!”

Ata thyen xhamat e një restoranti dhe të disa bankave turke e të huaja. Të paktën 20 demonstrues u arrestuan.

Protestuesit po përpiqeshin të kalonin kordonin e forcave policore dhe të marshonin drejt kompleksit po Banka Botërore dhe FMN-ja po përfundonin diskutimet rreth reformave dhe rimëkëmbjes nga kriza globale ekonomike.

Megjithë dëmet e shkaktuara, takimi vazhdoi për të dytën ditë, ndërkohë që udhëheqësit e institucioneve ndërkombëtare huadhënëse deklaruan përparim. Presidenti i Bankës Botërore, Robert Zollik, tha se sfida është që të gjehen burime të mjaftueshme për të ndihmuar vendet më të varfëra. “Theksova se jemi në pozitë të shikojmë nga e ardhmja. Vitin e ardhshëm do të përballemi me disa vështirësi dhe duhet të jemi të arsyeshëm dhe natyrisht të përqëndrohemi në vendet me të ardhura të ulëta”. Zoti Zollik tha se vendet anëtare kanë arritur marrëveshje mbi një sistem të ri, që do të siguronte grante dhe hua të shpejta për 79 vendet më të varfëra të botës. Pa vazhdimin e ndihmave, tha zoti Zollik, shumë vende nuk do të jenë në gjendje të përballojnë pasojat e krizës globale ekonomike. “Ekzistojnë shumë rreziqe, përfshirë rritjen e papunësisë, shtimi i masave mbrojtëse si dhe boshllëqet e mëdha në sektorin e prodhimit. Ekonomia globale ende mund të përballet me zbrapsje dhe jo më pak në vitin 2010 kur qeveritë planifikojnë të tërheqin pjesën më të madhe të stimujve ekonomikë, madje borxhet mund të goditen edhe nga ngritja e interesave”.

Banka Botërore ka dhënë këtë vit një shumë rekord prej 33 miliardë dollarësh dhe ka në plan t’u japë edhe 40 miliardë dollarë të tjerë vendeve më të varfëra të botës. Tashmë kanë filluar bisedimet për shtimin e burimeve të bankës me 100 milion dollarë gjatë 3 vjetëve të ardhshëm. Ekonomisti i Bankës Botërore, Agustin Karstens, thotë se nevojat janë urgjente. “Banka Botërore llogarit se deri në fund të vitit të ardhshëm, rreth 90 milion njerëz të tjerë janë në rrezik të përfundojnë në varfëri ekstreme”.Banka Botërore dhe FMN-ja thonë se po zbatojnë reforma për ta bërë procesin huadhënës më efikas, nëpërmjet ngritjes së interesave të huave dhe duke u dhënë vendeve në zhvillim një zë më të fuqishëm. Udhëheqësit e këtyre institucioneve do të votojnë vitin e ardhshëm për një rezolutë, që do t’u jepte vendeve në zhvillim të njëtat fuqi votimi si edhe vendeve të zhvilluara.

XS
SM
MD
LG