Javën e kaluar Irlanda ratifikoi Traktatin e Lizbonës, duke krijuar kushtet e transformimeve të mëdha në Bashkimin Evropian. Në një takim të organizuar nga Instituti Brookings dhe Fondacioni Heinrich Böll këtu në Uashington, një grup ekspertësh amerikanë dhe evropianë diskutuan ndryshimet që priten në Evropë dhe pozitën e saj në botë përballë Shteteve të Bashkuara dhe fuqive të reja si Kina, Rusia, India dhe Brazili. Ekspertët diskutuan edhe zgjerimin e Bashkimit Evropian dhe interesat e tij strategjike në vendimet për pranimin e anëtarëve të rinj.
Vota e Irlandës i hapi rrugën krijimit të postit të Presidentit të BE-së. Posti i ri që pritet të ketë kompetenca të zgjeruara, synon të forcojë pozitën e këtij blloku prej 27 vendesh në arenën ndërkombëtare.
Çështja më e vështirë tani në diskutim është se sa pushtet dhe influencë duhet të ketë presidenti i ri i Bashkimit Evropian. Ish
Kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair, e ka bërë të qartë synimin e tij për postin e presidenti, por ka zëra të tjerë që postin e presidentit ta mbajnë zyrtarë që janë më shumë teknokratë.
Nëse traktati ratifikohet edhe nga Polonia dhe Republika Çeke, parlamentet e të cilave e kanë miratuar atë, do të krijohet edhe posti i ministrit të jashtëm, i cili do të jetë i ngarkuar për çështjet politike dhe financat, si dhe një trup diplomatik evropian.
Të dy këto pozita do të jenë nën nivelin e udhëheqësve të vendeve anëtare dhe pozita e presidenti të komisionit evropian, që aktualisht mbahet nga José Manuel Barroso i Portugalisë do të qendrojë.
Në kushtet e reja Parlamenti Evropian do të ketë më shumë pushtet në forcimin e demokracisë evropiane, tha Justin Vaïsse, i Institutit Brookings, ish këshilltar i posaçëm i Ministrisë së Jashtme të Francës.
“Ratifikimi i Traktatit të Lisbonës nga Irlanda shënon një pikë kthesë në rolin e Bashkimit Evropian në botë. Traktati është një sukses real. Është real jo vetëm sepse varet në një masë të ndjeshme tek burra dhe gra që mbajnë funksione të rëndësishme dhe si do ta përkufizojnë dhe ushtrojnë ata autoritetin e tyre, por edhe pse nuk do të kishte përparim të ndjeshëm pa një konvergjim dhe bashkëpunim më të ngushtë mes tri fuqive të mëdha evropiane, Francës, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe”.
Ratifikimi i Traktatit të Lizbonës, tha John Bruton, ambasador i Bashkimit Evropian në Shtetet e Bashkuara, bën që vemendja të përqendrohet tani në sfidat që ndesh Evropa, nga ekonomia, ndryshimet klimatike e energjia tek bashkëpunimi në luftën kundër krimit.
“Vota pro e Irlandës heq nga rendi i ditës çështjen e ndryshimit të traktatit dhe krijon mundësitë për fokusimin e përpjekjeve tonë në çështje që janë të rëndësishme për Evropën, si rigjallërimi i dinamizmit të ekonomive tona, investimit në kërkimet dhe zhvillimin, bashkërendimi i politikave për energjetikën, lufta kundër krimit ndërkufitar. Pra formulimi i një qasjeje të përbashkët evropiane ndaj sfidave që ndesh Evropa”.
Disa kritikë thonë se Traktati i Lizbonës është thjesht kushtetutë që krijon një supershtet.
Por ekspertët e ftuar në diskutimin e Institutit Brookings thanë se ai është një pakt mes shteteve sovrane, që do të ndjekin politikat e tyre të brendëshme dhe të jashtme dhe Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të kenë ndikimin e tyre tek shtetet anëtare në baza individuale.
Federiga Bindi e Institutit Brookings tha se në fakt traktati e bën Bashkimin Evropian më të efektshëm në marrëdhëniet me botën.
Por Charles Kupchan i Këshillit për Marrëdhënit me Jashtë dhe profesor në Universitetin Georgetown, u shpreh me rezerva optimist për suksesin e Bashkimit Evropian.
Megjithëse Traktati i Lizbonës është një istrument kohezioni, tha ai, Evropa ka përjetuar vitet e fundit tendenca centrifugale rinacionalizimi.
“Politikat janë bërë më tepër kombëtare dhe më pak evropaine, madje më lokale se sa kombëtare. Çështja është se në konkurencën mes këtyre forcave kohezionit dhe rinacionalizimit, cila do të mbizotërojë gjatë dekadës së ardhëshme. Për momentin mendoj se forcat e kohezionit mund të avancojnë, e megjithatë koha do ta tregojë se cila forcë do të dominojë në një periudhë më afat gjatë”.
Miratimi i Traktatit të Lisbonës, tha Ralf Fuecks, President i Fondacioni gjerman Heinrich Böll, tha se Traktati i Lizbonës i jep një frymëmarrje më të madhe demokracisë evropiane.
“Ne nuk duhet ta shikojmë Bashkimin Evropian si një shtet-komb të zgjeruar, por nga ana tjetër ai është më tepër se sa një bashkim shtetesh. Traktati i Lizbonës është një instrument që nxit nismën qytetare dhe si i tillë i krijon në shumë hapësirë shoqërisë civile të shteteve anëtare në nivel evropian për t’i paraqitur çështje të ndryshme politike Parlamentit Evropian”.
Zoti Fuecks tha gjithashtu se me ratifikimin e Traktatit të Lizbonës zgjerimi i Bashkimit Evropian duhet të vazhdojë me një ritëm të përshpejtuar, duke marrë veçanërisht në konsideratë aspirtat e vendeve të Ballkanit Perëndimor që kanë kërkuar të anëtarësohen.
Profesori i Universitetit të Oksfordit, Timothy Garton Ash, tha se anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE është tashmë në proces dhe në kohën e duhur do të merret një vendim për to, por ai theksoi se është në interesin strategjik të Bashkimit anëtarësimi i Turqisë veçanërisht, si dhe Gjeorgjisë dhe Ukrainës.
Vota “po” e irlandezëve për Traktatin e Lizbonës i jep fund një dekade debatesh për reformën institucionale të BE-së.