Lidhje

SHBA: Tradita e anijeve prej druri në shtetin verilindor të Mejnit


Në shtetin verilindor amerikan Maine, tradita e ndërtimit të mjeteve lundruese është disa qindra vjeçare. Sot, kjo industri kap 5 përqind të krahut të punës së këtij shteti ndërkohë që xhiron 600 milion dollarë në vit për ekonominë e shtetit.

Peshkatarët dhe të apasionuarit e shumtë në vijën bregdetare të shtetit Mejn, e cila zgjatet rreth 11,000 kilometra, bëjnë që kërkesa për mjete lundrimi të qendrojë e lartë.

80 vjeçari Ralf Stanley ka kaluar një pjesë të mirë të jetës duke ndërtuar anije në Gjirin Jugperëndimor të shtetit Mejn. Ndonëse në pension, varkat e tij të drunjta të ndërtuara me dorë dhe me vegla e teknika të stilit të vjetër, mebeten legjendare.

"Duhet mjeshtëri që të punosh me dru, të ndërtosh një anije druri. Mjeshtëria është fituar gjatë mijëra viteve dhe është trashëguar nga një brez në tjetrin dhe nëse dikush nuk e praktikon më, ajo do të humbasë."

Ai shqetësohet për faktin që një numër gjithnjë e më i madh njerëzish po përdorin fiberglass për të krijuar kallëpin e varkave sepse kjo çon në prodhimin e varkave me të njëjtën formë dhe dizenjo. Stanley, ashtu si shumë mjeshtra të anijeve, mendon se kjo metodë e kufizon krijimtarinë.

"Me daljen e fiberglassit mendova ta përdorja edhe unë, mirëpo kjo do të bënte që anijet e mija të ndërtoheshin me të njëjtin kallëp. Anijet e mija janë të ndryshme ndërsa kallëpi me fiberglass nuk të le ta bësh këtë."

I biri, Riçardi, ka ndjekur gjurmët e të atit në mjeshtërinë e ndërtimit të anijeve prej druri. Ai thotë:

"Anijet prej fiberglassi e kanë trupin shumë të sertë. Kurse druri të jep më shumë lakueshmëri."

Kerri Russell është shefe e bordit të drejtorëve për ndërtimin e varkave, organizatë që merret me reklamimin kësaj industrie në shtetin Maine.

Ajo mendon se anijet e drurit do të kenë gjithnë joshjen e tyre por thotë se edhe përdorimi i fiberglassit është praktik dhe ekonomike.

"Kur kompania ime kaloi nga druri në fiberglass, aryeja ishte se trupi ishte më i lehtë dhe më i fortë, si dhe më lehtë për t'u mirëmbajtur."

Cuyler Morris drejton firmën Morris Yachts, e dalluar në ndërtimin e anijeve luksoze që kushtojnë nga 185 mijë deri 1.4 milion dollarë.

Morris thotë se teknologjia moderne e ka ndihmuar të ndërtojë anije të përballueshme dhe më të lehta për t'u manovruar.

"Jemi në kërkim të materialeve më të mira dhe të stilit më të mirë dhe këtu hyn funksionaliteti të cilin e sjellim nga përvoja jonë si detarë."

Kompania e tij, e themeluar nga i ati 38 vjet më parë, përdor komponentë elektrike në vend të atyre mekanikë. Një mbulesë automatike mbron velat kur kjo është e nevojshme.

Kerri Russell thotë se një prej arsyeve për modernizimin e anijve është t'u përshtatet familjeve që nuk kanë shumë kohë.

"Teknologjia u ofron eksperiencë detare atyre njerëzve që nuk kanë shumë kohë për përdorimin e anijeve të stilit të vjetër."

Ndërkohë që recesioni ka ndikuar mjaft në industrinë e anijeve, thuajse të gjithë mbeten optimiste rreth se ardhmes.

"72 përqind e botës është e mbuluar me ujë. Njerëzit do të kenë anije dhe gjithnjë do të ketë kërkesa për anije të cilësisë së lartë të ndërtuara në Maine. Mbetem optimist."

Por për ndërtuesit tradicionale të anijeve të drujta si Ralf Stanli, e ardhmja është më pak e sigurt. //mm//

XS
SM
MD
LG