Lidhje

Aziatiko-amerikanët me MBA kërkojnë  punë jashtë SHBA


Një vit pas falimentimit të firmës Lehman Brothers, industria e financave ende nuk ka dalë nga kriza. Qindra mijëra vende pune u suprimuan dhe për ata që kanë mbarruar shkollat e biznesit punësimi duket i vështirë. Në këto kushte, disa aziatikë amerikanë dhe aziatikë që janë diplomuar në Shtetet e Bashkuara po shikojnë mundësitë e punësimit në vende si Kina, India dhe vende të tjera.

Një vit më parë, banka e investimeve Lehman Brothers falimentoi dhe mijëra punonjës humbën vendet e punës.

"It's sad ; sad.... It's not good."


Gjendja është dëshpëruese thonë këta punonjës që nuk janë të vetmit. Qyteti i Nju Jorkut po paralajmëron se 46 mijë vende pune dhe qindra mijëra të tjera që varen nga Uoll Striti mund të mbyllen gjatë 2010.

Studentët me mastërs në administrim biznesi, MBA, thonë se ky informacion i shqetëson. Para krizës financiare, pothuajse çdo student i kësaj dege e kishte punën të garantuar në sektorin e financave. Në një panair punësimi për aziatiko-amerikanët dhe aziatikët e arsimuar në Shtetet e Bashkuara, radhët ishin të gjata para pavioneve të punëdhënësve të mundshëm.

Xiang Vang është nga Pekini dhe pret të diplomohet me MBA nga Universiteti Klark në Masaçusets. Ai është i shqetësuar për mungesën e vendeve të punës dhe nevojën e tij për një vizë pune.

"Nëse do një sponsorizues për vizën H1-B, asnjë kompani nuk do të pranojë rezymetë tona, prandaj është vështirë të gjesh punë".

Por humbjet e Uoll Stritit mund të jenë të favoshme për Azinë. Në këtë panair marrin pjesë disa vende aziatike, të interesuara për punësimin e studentëve aziatikë të diplomuar në Shtetet e Bashkuara.

Xhozef Nam punon në Agjencinë Tregtare të Koresë së Jugut dhe ndodhet këtu sepse firma e tij po përpiqet të formulojë lista të sudentëve të diplomuar nga universitetet amerikane për t'ua shpërndarë më pas ato kompanive koreane që duan t'i punësojnë talentet e arsimuara në Shtetet e Bashkuara.

NAM:
"Më pak vende pune në Uoll Strit do të thotë se më shumë njerëz janë të predispozuar të punojnë jashtë vendit. Ata janë gati të pranojnë një vend pune edhe me pagesë dhe kompensime më të vogla".

VANG:
"Preferenca ime e parë është të gjej një punë në Shtetet e Bashkuara, por në qoftë se nuk gjej punë këtu do të më duhet të këroj diku gjetkë".

Në Kinë, Indi dhe vende të tjera aziatike vihet re një rritje e ndjeshme e njerëzve të arsimuar mirë që kthehen në vend. Vitin e kaluar, qeveria kineze konstatoi se 55 përqind e studentëve që studjonin jashtë u kthyen. Nga një studim i kohëve të fundit të Universitetit Duke rezulton se aziatikët e arsimuar në Shtetet e Bashkuara besojnë se në vendet e tyre është shtuar kërkesa për ekspertizën e tyre.

Ndërsa të diplomuarit mund të jenë të shqetësuar për gjetjen e punën menjëherë, organizatat profesionale besojnë se aziatiko-amerikanët ose aziatikët e arsimuar në Shtetet e Bashkuara kanë një të ardhme shumë premtuese. Tomas Sim i Shoqatës Kombëtare të profesionistëve aziatiko-amerikanë thotë se aftësitë e tyre gjuhësore dhe rritja e madhe ekonomike në Azi do të jetë në avantazh të tyre në perspektivën e largët.

"Ndoshta ata kanë shanse më të mira se mesatarja. Ata kanë kulturën dhe arsimin, dy faktorë që i ndihmojnë të fitojnë gjithmonë".


Kjo mund të mos i ndihmojë të diplomuarit e 2009 sot për sot, por me mëkëmbjen e ekonomisë botërore dhe me rritjen e kërkesës për të diplomuar në Shtetet e Bashkuara, pjesëmarrësit në këtë konferencë mund të jenë ata që do të punësohen në numër të madh nga kjo anë e Oqeanit Paqësor ose nga ana tjetër. //iç//

XS
SM
MD
LG