Lidhje

SHBA: Ngrihet indeksi kryesor i bursës amerikane


Indeksi kryesor i bursës amerikane vazhdon të ngrihet, shenjë kjo se investitorët amerikanë po fitojnë besim tek rimëkëmbja ekonomike e vendit. Indeksi Dow Jones Industrial u ngrit më shumë se 1,2 për qind, duke kaluar 10 mijë pikëshin gjatë këmbimeve të sotme në Nju Jork, për herë të parë nga tetori i vitit të kaluar.

Investitorët bënë që ky indeks të ngrihej pas njoftimeve nga një prej kompanive më të mëdha huadhënëse të vendit, JPMorgan Chase, si dhe nga prodhuesi i pjesëve kompjuterike, Intel, të cilat tregonin se veprimtaria e këtyre dy kompanive ishte më mirë se sa parashikonin analistët.Këto zhvillime pozitive pasojnë publikimin e një raporti qeveritar sipas të cilit u rritën disa shitje me pakicë.

Shitjet me pakicë në Shtetet e Bashkuara pësuan rënie në shtator, me 1,5 për qind, ndërsa Washingtoni i dha fund një programi, që i nxiste konsumatorët të blenin makina.Por përveç sektorit të transportit, shitjet me pakicë në përgjithësi u rritën me 0,5 për qind.

Kjo është rritja e dytë në dy muajt e fundit dhe mund të tregojë se konsumatorët po fillojnë të shpenzojnë.Ekonomistët i ndjekin nga afër shpenzimet e konsumatorëve sepse kërkesat e konsumatorëve përbëjnë dy të tretat e aktivitetit ekonomik në Shtetet e Bashkuara.//lk

XS
SM
MD
LG