Lidhje

SHBA: Ligji për shërbimin shëndetësor, vazhdojnë debatet

  • Elizabet Li
  • Washington

Komisioni i Senatit për Financat ka miratuar një projekt-ligj për reformimin në shkallë të gjerë të sistemit shëndetësor. Synimi i këtij projekt-ligji është të ulet kostoja e sigurimeve shëndetësore dhe zgjerimi i shërbimeve që kompensohen nga sigurimet. Debati ka vënë përballë njëri-tjetrit jo vetëm ligjvënësit demokratë e ata republikanë, por edhe grupet që përfaqësojnë sektorët që preken nga këto reforma.


Kur u hodh në votë projekt-ligji, Senatorja Olympia Snow ishte e para republikane që mbështeti reformën. Por debati mbi kujdesin shëndetësor nuk ka përfshirë vetëm ligjvënësit. Lobistët e kanë ndjekur me vëmendje këtë çështje. Ekspertë të politikave shtetërore thonë se organizata që përfaqësojnë interesat e kompanive të sigurimeve, spitalet dhe industrinë farmaceutike kanë ndikim të madh në këtë debat. Nga ana tjetër e debatit po përpiqen të ushtrojnë ndikimin e tyre grupe që përfaqësojnë interesat e konsumatorëve dhe sindikatat.

Në Uashington, fitorja që siguroi Presidenti Obama me miratimin e projekt-ligjit për kujdesin shëndetësor në Komisionin për Financat shënon një hap përpara në përpjekjet për të reformuar kujdesin shëndetësor. Në bazë të projekt-ligjit të fundit, pjesës më të madhe të amerikanëve do t’u kërkohet të blejnë sigurime shëndetësore ose do të ndëshkohen me gjobë. Kompanitë e sigurimeve nuk do të kenë të drejtë t’u mohojnë mbulim shëndetësor personave që kanë ndonjë problem ekzistues me shëndetin.

Por projekt-ligji has në kundërshtim të fortë. Një raport i ri nga industria e sigurimeve thekson se reforma do t’i shtojë deri në 4 mijë dollarë shumës vjetore që paguajnë familjet në fondin e kompanisë së sigurimeve.

Karen Ignagni është presidente e kompanisë America’s Health Insurance Plans. Ajo thotë se projekt-ligji i miratuar nga Komisioni i Senatit nuk përfshin ndëshkime të mjaftueshme, në mënyrë që t’i detyrojë amerikanët të blejnë sigurime.

“Nëse nuk angazhohen të gjithë me kontribute financiare për këtë fond, rezulton që do të blejnë siguracione vetëm ata me probleme.”- thotë ajo.

7 muaj më parë, kjo kompani sigurimesh u zotua të mbështeste presidentin Obama:

“Ne jemi angazhuar të kontribuojmë dhe të ndihmojmë për miratimin e një plani për reformimin e sistemit shëndetësor.”

Pedagogia e Universitetit Georgetown Judy Feder thotë se lobistët shpesh ndryshojnë pikëpamje me evolimin e projekt-ligjit në Kongres.

“Grupet që mbështesin interesat e kompanive të sigurimeve, spitaleve, industrisë farmaceutike dhe mjekëve mund të preken ndjeshëm nga çdo ndryshim që pëson sistemi i kujdesit shëndetësor. Ata i ndjekim me vëmendje të gjitha ndryshimet për të parë nëse janë në interes të tyre apo në një drejtim që ata mendojnë se do të jenë të dëmshme.”

Zonja Feder thotë se interesat e këtyre grupeve luajtën një rol kyç në bllokimin e reformave në kujdesin shëndetësor, kur Presidenti Bill Klinton ishte në Shtëpinë e Bardhë. Në fillim të viteve ’90, një grup që përfaqësonte interesat e industrisë së sigurimeve u përpoq të ngjallte panik në publikun amerikan me këtë reklamë:

“Një pjesë e mirë e panikut lidhej me kundërshtimin e fortë që bënë këto grupe si dhe organizata që përfaqësonin biznesin privat, sidomos biznesin e vogël, të cilët e sulmuan me forcë planin.”- thotë zonja Feder.

Ka kaluar më shumë se një dekadë dhe kundërshtimi ndaj reformave është bërë më i fortë. Industria e sigurimeve si dhe shoqata më e madhe e mjekëve po mbështet presidentin Obama, duke e balancuar disi betejën.

Eskpertët e politikave shtetërore thonë se presioni ndaj ligjvënësve dhe përhapja e panikut tek amerikanët janë mjete që përdorin lobistët për të ndikuar tek rezultati i politikave që debaton Kongresi. Të dyja palët po përdorin frikën.

Forma përfundimtare e reformës ende nuk dihet. Mbetet shumë punë deri në realizimin e ndryshimeve të propozuara. Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati duhet të ndërthurin variantet e tyre. Përsa i përket dilemës se cila anë do të dalë e fituar, kjo do të varet nga evolimi i opinionit publik dhe qëndrimit të ligjvënësve ndaj reformës.//lk









XS
SM
MD
LG