Lidhje

Shtohet dhuna në Pakistan; Debat Uashington-Islamabad për ndihmen amerikane


Policia në Pakistan thotë se tre autorë sulmesh vetëvrarëse me bombë aktivizuan lëndë shpërthyese në qytetin e Peshawarit, para ndërtesës së policisë, duke vrarë të paktën 13 persona. Pamjet televizive të shpërthimeve të sotme tregonin rrënoja dhe një makinë të shkatërruar. Policia tha se sulmuesit, mes tyre një grua, e cila ndodhej në një motoçikletë me një burrë, e ndaluan atë para stacionit të policisë, dhe aktivizuan lëndët shpërthyese. Një tjetër sulmues vetëvrasës hodhi në erë një makinë të mbushur me lëndë shpërthyese. Në këto sulme janë vrarë mbi 150 njerëz.

Udhëheqësit talebanë thonë se fushata e sulmeve ka karakter hakmarrës për një ofensivë të ushtrisë që pritet të fillojë së shpejti kundër bazave kryengritëse në Vaziristanin Jugor, pranë kufirit afgan. Në sulmet e sotme u vranë të paktën 3 policië, si dhe civilë, mes tyre dy gra dhe të paktën një fëmijë. Dëshmitarët thanë se nga shpërthimet u shkatërruan pjesë të ndërtesës së policisë dhe një xhami aty pranë.

Udhëheqës të lartë ushtarakë dhe politikë u takuan në Islamabad, për të diskutuar mbi valën e dhunës, operacionin e mundshëm në Vaziristanin Jugor dhe për zhvendosjen e njerëzve në rajon. Zyrtarët nuk dhanë të dhëna lidhur me ofensivën e parashikuar.

Ministria e brendshme pakistaneze e cilësoi shkallëzimin e dhunës "një luftë guerrilase" dhe udhëheqësit talebanë u zotuan të vazhdojnë të godasin objektiva qeveritare para një ofensive të pritshme të ushtrisë kundër militantëve në Vaziristanin e Jugut. Dhuna ndodh ndërkohë që Islamabadi dhe Uashingtoni përpiqen t'i japin zgjidhje kundërshtimeve pakistaneze lidhur me një pakete ndihmash prej 7.5 miliardë dollarësh, nënshkruar dje nga Presidenti Obama.

Sulme të bashkërenduara nga militantët kundër agjencive të rendit sot ne Peshawar dje në Lahore shkaktuan vdekjen e dhjetra vetëve.

Në veriperëndim të Paksitanit, një makinë bombë shkatërroi një stacion policie në Kohat, ndërsa disa orë më pas një bombë shkatërroi një zonë të banuar në Peshavar.

Sulmet e Talebanëve ndodhin ndërsa ushtria përgatitet për një ofensivë kundër bazave të militantëve në Vaziristanin Jugor.

Shtypja e militantëve është një nga kushtet kryesore për ndihmën civile prej 7.5 miliardë dollarësh për Pakistanin miratuar javën që kaloi nga Kongresi.

Ministri i Jashtëm pakistanez Shah Mehmud Kureshi ishte në Uashington për bisedime me Sekretaren e Shtetit Hillari Klinton, ndërkohë që miratohej ligji Kerri-Lugar. Por paketa u prit me kundërshtime në Pakistan vetëm disa ditë pas miratimit dhe zotit Kureshi iu desh të kthehej me shpejtësi në Uashington.

"E kisha shprehur shumë qartë që Pakistani nuk do të bëjë kompromis me sovranitetin e vet," thotë zoti Kureshi.

Në disa njoftime thuhej se ushtria ishte shprehur kundër formulimeve që e lidhnin ndihmën amerikane me masat e Pakistanit ndaj militantëve. Në njoftime të tjera thuhej se ushtria nuk kishte pëlqyer një klauzolë që bënte thirrje për kontroll më të madh civil mbi ushtrinë. Ligjvënësit amerikanë i thanë ministrit të jashtëm pakistanez se paketa nuk mund të ndryshojë. Por ata pranuan të bashkëngjisin një shpjegim të përbashkët për të fashitur shqetësimet e Pakistanit.

Senatori Xhon Keri u takua me ministrin Kureshi për ta sqaruar.

"Legjislacioni nuk ka aspak synim të komprometojë sovranitetin e Pakistanit. Nuk përpiqet të prekë interesat e sigurimit kombëtar apo të mikromenaxhojë ndonjë aspekt të ushtrisë së Pakistanit, apo operacioneve civile", tha Senatori Keri.

Shah Mehmud Kureshi u largua nga Uashingtoni nën një notë optimiste.

"Kemi bërë një hap përpara dhe unë po kthehem në Pakistan të njoftoj parlamentin dhe të mbyllim debatin me theksin tek forcimi dhe thellimi i marrëdhënieve mes dy vendeve. Faleminderit për ndihmën", thotë zoti Kureshi.

Debati nënvizon mosbesimin që disa pakistanezë ndjejnë lidhur me synimet amerikane, Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin, që është më i fundit në një seri sulmesh gjatë dy javëve të fundit, në të cilat janë vrarë mbi 150 njerëz si edhe marrëdhëniet delikate mes qeverisë civile dhe ushtrisë që ka sunduar në Pakistan për më shumë se gjysmën e 62 vjetëve të historisë së tij.

XS
SM
MD
LG