Lidhje

Regjisori Majkëll Mur me një film të ri për krizën ekonomike


Në dokumentarin e ri, "Kapitalizmi – një histori dashurie” , regjisori Majkëll Mur e kthen lenten e tij drejt njërës prej temave më të debatueshme në Amerikën e sotme: krizën ekonomike. Duke e shoqëruar satirën therëse me dramën njërzore, Mur flet për rënien e tregut të shtëpive, krizën e kreditit, tronditjet në Uoll Strit dhe paketën prej 750 miliard dollarësh të qeverisë amerikane për shpëtimin e bankave.

Në filmin "Kapitalizmi – një histori dashurie”," Majkëll Mur thotë se lakmia e papërmbajtur e hodhi klasën e mesme amerikane në krizën më të madhe financiare që nga Depresioni i Madh. Me stilin e tij të zakonshëm teatral, Moore ua hedh fajin bankave dhe institucioneve të tjera financiare.

"Ja se si funksiononte: Së pari, u thua njerëzve që kanë blerë shtëpi se kjo shtëpi është si një bankë, nga e cila mund të nxjerrësh para sa të duash, mjafton ta rifinancosh. Dhe të gjithë veprojnë kështu. Natyrisht, në ato qindra faqet e kontratës të shkruar me gërma të imta ka tërë ato klauzola mashtruese që e lejojnë bankën të ngrejë së tepërmi interesin e kredisë. Ndoshta aq shumë sa që njeriu nuk është në gjendje të paguajë këstin e kredisë. Por nuk ka gjë. Nëse nuk paguan, banka të merr shtëpinë." thotë ai në film.

Mur thotë se kriza e shtëpive është vetëm njëri aspekt i krizës së sotme ekonomike në Amerikë:

"Rënia e bursës, falimentimet, marrja e shtëpive nga banka, kriza globale dhe qeveria paguan për të shpëtuar bankat. Me disa miliona dollarë për të blerë Kongresin, Uoll Stritit iu dhanë miliarda."

Mur thotë se zyrtarët e qeverisë së bashku me drejtuesit e korporatave krijuan një skenar ogurzi, duke thënë se sistemi financiar do të shembet pa një paketë gjigande shpëtimi për bankat.

Kongresi vendosi të japë 750 miliard dollarë nga paratë e taksapaguesve për të ndihmuar gjigandët financiarë në rrezik. Por, thotë në film Elizabeth Warren, e komisionit mbikqyrës të Kongresit, paratë nuk dihet se ku përfundojnë.

Me kasketën dhe xhinset e tij karakteristike,Mur troket në dyert e korporatave gjigante për të kërkuar përgjigje dhe paratë e njerëzve të thjeshtë.


Pavarësisht nga vreri, Mur na jep një tabllo rrënqethëse të klasës së mesme amerikane, të njerëzve punëtorë por që nuk gjejnë dot punë, nuk ushqejnë dot familjet dhe nuk paguajnë dot kredinë e shtëpinë.

Majkëll Mur ve në pikëpyetje moralin e kapitalizmit të cilin e përshkruan si një sistem ekonomik pa rregulla ku një grusht njerëzish kanë fitime marramendëse në kurriz të shumicës. Ai e përsërit këtë në një diskutim pas filmit të moderuar nga gazetarja Ariana Huffington, ku thotë mes të tjerash:

"Nuk dua që ky të jetë një diskutim me temën kapitalizmi apo komunizmi. Por dua të kthehem te vlerat tona bazë, tek ajo që kanë thënë për demokracinë Thomas Jefferson, Ben Franklin dhe gjithë të tjerët.”

E drejta e votës, thotë Mur, është arma më e mirë që kanë njerëzit kundër shpërdorimit të pushtetit.

Dokumentari nuk ofron alternativa ekonomike dhe as provon akuzat për korrupsion në korporatat amerikane.

Toni i tij predikues për lakminë e korporatave mund të armiqësojë shumë njerëz që nuk e durojnë dot këtë lloj gjuhe.

Por synimi i regjisorit nuk është një dialog inteligjent. Ai kërkon me çdo kusht të ngjallë sa më shumë reagime.

Në këtë mënyrë, shpreson ai, amerikanët do të zemërohen në atë masë saqë të bëjnë diçka kundër kësaj.

Mund të jetë pikërisht ky morali i dokumentarit. //mm//

XS
SM
MD
LG