Lidhje

Bisedimet e fuqive botërore me Iranit fillojnë në Vjenë


Shefi i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Mohamed ElBaradei, tha se bisedimet mbi programin bërthamor të Iranit filluan mirë sot në Vjenë.

Zoti ElBaradei i karakterizoi diskutimet mes përfaqësuesve nga Irani, Rusia, Franca, Shtetet e Bashkura dhe Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore si konstruktive, madje shtoi se ato do të vazhdojnë nesër.

Ai tha se u diskutuan çështje teknike, duke iu referuar kështu një propozimi që uraniumi i Iranit të pasurohet në Rusi dhe në Francë për t’u konvertuar në karburant reaktorësh.

Por televizioni shtetror citoi burime të paidentifikuara të afërta me negociatat, se Teherani nuk do të hyjë në marrëveshje të tilla me Francën, për shkak të dështimit të kësaj të fundit, po sipas burimeve, për ta furnizuar Iranin me pajisje reaktorësh.

Po sot, një zëdhënës i Agjencisë për Energjinë Bërthamore të Iranit, Ali Shirzadian, tha se Teheranin nuk do të heqë dorë nga pasurimi i uraniumit, pavarësisht rezultatit të bisedimeve me fuqitë botërore.

Diplomatët perëndimorë e konsiderojnë pasurimin e uraniumit nga një palë e tretë, si masë për shtimin e besimit. Ata thanë se do të sigurohen se uraniumi pasurohet në nivelin e duhur për përdorim civil, që është më i ulët se sa uraniumi i pasuruar për armët bërthamore.

XS
SM
MD
LG