Lidhje

Liria e shtypit: Keqësohet gjendja në Shqipëri dhe Kosovë


18 vjet pas rënies së komunizmit në Shqipëri, dhe pas futjes në Nato, megjithë entuziazmin se vendi do të shfaqte karakteristikat e një shoqërie më të lirë, dhe në këtë kuadër edhe një media më të lirë, gjendja e lirisë së shtypit vazhdon të mbetet problematike.

Në këtë përfundim arrin raporti i sivjetshëm i organizatës Gazetarët Pa Kufi mbi lirinë e shtypit në botë. Shqipëria del me një rezultat zhgënjyes në renditjen e sivjetshme të vendeve në bazë të lirisë së shtypit, duke u renditur e 88-a nga vendi i 79-të që zinte vjet.

Megjithë vitalitetin dhe zgjerimin e mjeteve të informimit, jo gjithmonë kjo rritje shoqërohet me një pluralizëm të vërtetë informacioni dhe opinionesh në shtyp.

Gazetaria investigative në Shqipëri, thuhet në raport mbetet në fazat embrionale dhe po përpiqet të gjejë vendin e saj në një shtyp që kontrollohet ose nga interesat ekonomike që luftojnë për kontroll në treg ose nga partitë politike, që shpesh nuk arrijnë të bëjnë dallimin mes propagandës dhe lajmit të mirëfilltë.

Vendit ende i mungon një kornizë ligjore që të garantojë ushtrimin e lirë të profesionit të gazetarisë. Ky problem i ndërlikuar më tej nga nevojat ekonomike të gazetarëve, i bën punonjësit e medias pre të vendimeve arbitrare dhe nuk lejon pasqyrimin objektiv në shtyp të problemeve si korrupsioni, krimi i organizuar dhe trafiqet.

Kontrolli qeveritar mbi median publike është i qartë dhe shfaqet me emërimin e individëve që shihen me sy të mirë nga autoritetet në postet e menaxherëve dhe redaktorëve përgjegjës për të garantuar mbulim të favorshëm për qeverinë.

Presioni nuk mungon as mbi median private, ku mjete frikësimi si gjobat, tërheqja e reklamave dhe ngatërresa qeveritare përdoren haptazi për të nxitur vetë-censurën.

Si rezultat, Shqipëria ka rënë këtë vit 9 vende në kategorizimin e organizatës Gazetarët pa Kufi ku analizohet gjendja e shtypit në 175 vende të botës.

Një rënie edhe më e ndjeshme është regjistruar për Kosovën, e cila zinte vjet vendin e 58, ndërsa sivjet renditet në vendin e 75 të raportit të organizatës.

Media e shkruar mbetet në një fazë fillestare krahasuar me radion dhe televizionin që mbizotërojnë tregun e informacionit.

Raporti nënvizon kontrollin e drejtpërdrejtë që ushtron qeveria, në veçanti mbi Radio-Televiozionin e Kosovës.

Fondet e stacionit janë në mëshirë të parlamentit, siç është e statusi i punësimit të stafit realizues.

Tregu kosovar vazhdon të vuajë nga mungesa të informacionit dhe të dhënave publike, të cilat ende nuk garantohen me ligj.

Kontrolli qeveritar shtrihet edhe mbi Këshillin për Shtypin që u ngrit si një organizëm rregullator për të vendosur disa parametra dhe rregulla të etikës gazetareske.

Mungesa e fondeve dhe investimeve nga jashtë i ka lënë gazetat të dobëta përballë presionit politik dhe grupeve me interesa të veçanta, të cilat kërcënojnë të tërheqin reklamat nëse nuk ka mbulim shtypi në favor të tyre.

Si shteti më i ri në Evropë, Kosova ende ndeshet me problemet e konsolidimit të institucioneve. Megjithatë, thekson raporti i organizatës Gazetarët pa Kufi, media në Kosovë mund të shfrytëzojë ekspertizën e Misionit të Bashkimit Evropian, EULEX, për të zhvilluar mënyra më të pavarura pune dhe për t’u çliruar nga presionet financiare dhe politike.

Raporti mbi Lirinë e Shtypit del me përfundimin se, megjithë shembullin që ka dhënë prej dekadash Evropa në mbrojtjen e lirisë së shtypit, këtë vit duket se kontinenti nuk po u përmbahet të njëjtave standarte.

Një numër vendesh evropiane kanë rënë ndjeshëm në indeksin e sivjetshëm. Megjithëse të 13 vendet e para në renditje u takojnë vendeve evropiane, vërehen rënie nga një numër vendesh, si Franca e cila renditet në vend të 43-të nga vendi i 35 vjet, Italia në vend të 49 nga vendi i 44 vjet dhe Sllovakia në vend të 44-t, me një rënie prej 34 vendesh brenda një viti në indeks. Në vend të tyre në renditje janë ngritur demokraci të reja si Mali apo Gana në Afrikë dhe Uruguaj e Trinidadi në Amerikën Qendrore e Jugore. //kk//

XS
SM
MD
LG