Lidhje

Presidenti Obama kërkon zgjerimin e kredive për bizneset e vogla


Presidenti amerikan Barak Obama njoftoi planet për zgjerimin e kredive për bizneset e vogla në Shtetet e Bashkuara. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Kent Klain nga Shtëpia e Bardhë, presidenti po e zhvendos fokusin e ndihmave qeveritare të krizës nga ndërmarrjet e mëdha tek bizneset dhe bankat e vogla.

Presidenti Obama thotë se bankat e mëdha që ishin në kushte kritike vitin e kaluar tani nuk kanë nevojë më për ndihmën e qeverisë. Ai thotë se bizneset e vogla janë motori i rritjes së vendeve të punës në Amerikë, dhe ata ende ndeshen me probleme në marrjen e kredive.

“Ka ende shumë biznesmenë që nuk mund të marrin kredinë që u duhet për të hapur dyert dhe për të filluar punësimin. Ka ende prej atyre që mezi arrijnë të paguajnë rrogat apo të vazhdojnë të ekzistojnë. Dhe ka ende biznese të vogla të suksesshme që duan të zgjerohen dhe të punësojnë më shumë njerëz, por nuk kanë kapital monetar për ta bërë këtë.”

Në një kompani të vogël pranë Uashingtonit dje, zoti Obama tha se do t’i kërkojë kongresit t’i lejojë bizneset e vogla të marrin kredi më të mëdha nga qeveria, duke përdorur para nga paketa financiare 700 miliard dollarëshe e stimujve.

“Këto janë kreditë që zakonisht jepen nga Administrata për Bizneset e Vogla për të ndihmuar njerëzit të hapin dyert dhe të blejnë makineri, paisje, tokë dhe ndërtesa. Këto kredi më të mëdha do t’i ndihmojnë bizneset e vogla të rriten.”

Presidenti do gjithashtu t’u japë më shumë ndihmë qeveritare bankavetë vogla dhe të financojë sipërmarrësit e vendit.

“Por për të rritur dhënien e kredive për bizneset e vogla, ne duhet të rrisim sasinë e parave tek të cilat do të kenë qasje bankat e vogla dhe institucionet financiare të komuniteteve nga të cilat varen këto komunitete.”

Zoti Obama e njoftoi ndryshimin ndërkohë që pagesat e ekzekutivëve financiarë po bojnë bujë të madhe. Disa nga këto ekzekutivë punojnë në kompanitë të cilat Uashingtoni u desh t’i shpëtonte me miliarda dollarë të taksapaguesve vitin e kaluar. Zyrtarët e administratës i kanë quajtur këto bonuse ofenduese.

Ndërkohë presidenti thotë se bizneset e vogla kanë krijuar 65 përqind të vendeve të punës në Shtetet e Bashkuara gjatë 15 vjetëve të fundit. Ai thotë gjithashtu se më shumë se gjysma e amerikanëve që punojnë në sektorin privat janë ose të punësuar nga një biznes i vogël, ose janë pronarë të një biznesi të tillë. //BSA//

XS
SM
MD
LG