Lidhje

Ekspertët: Sfida e sigurisë për Ballkanin është lënë pas, e ardhmja në BE


Diplomatët dhe ekspertët amerikanë dhe evropianë thonë se megjithëse mbeten ende probleme në rrugën drejt anëtarësimit të Ballkanit perëndimor në Bashkimin Evropian, e ardhmja e këtij rajoni është në këtë organizatë. Në një konferencë në Universitetin Xhons Hopkins në Uashington, pjesëmarrësit e vunë theksin tek sfidat politike në konsolidimin e demokracisë dhe të institucioneve në këto vende, duke lënë të kuptohet se sfidat e sigurisë janë lënë kryesisht prapa. Por analistët vënë në pah se misioni i filluar në fillim të viteve 1990 është ende i parealizuar.

Pjesëmarrësit në konferencë e shohin realizimin e synimit për një Evropë të bashkuar dhe të lirë, ende të paplotësuar dhe mendojnë se

që demokratizimi të lëshojë rrënjë në këtë rajon dhe vendet e tjera ish-komuniste duhet një rigjallërim i angazhimit amerikan dhe i bashkëpunimit mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara.

Në rajonin e Ballkanit perëndimor, thotë ambasador Adrian Basora, drejtor i Projektit për Tranzicionet Demokratike, në Institutin për Studime të Politikës së Jashtme në Filadelfia, një nga organizatorët e konferencës, prirjet nacionaliste dhe tensionet etnike për pjesën më të madhe të Ballkanit Perëndimor janë lënë pas.

"Ne jemi relativisht optimistë se konfliktet e mesit të viteve 1990 kanë përfunduar në këtë rajon dhe ne mendojmë se ka një shans tani përmes demokratizimit dhe zhvillimit ekonomik dhe social, si edhe përmes përpjekjeve të përbashkëta evropiane dhe amerikane në rajon, që përparësinë ta marrin objektiva të tjera më të rëndësishme".

Por pikërisht shpresa dhe optimizmi thotë ai, është e nevojshme që të ndihmohen përkrahësit e demokracisë, të të drejtave të njeriut dhe shtetit ligjor, qeverisjes së mirë dhe luftës kundër korrupsionit që ky proces të ecë përpara.

Megjithëse janë qytetarët dhe strukturat e këtyre vendeve që do t'i realizojnë këto ndryshime, zoti Basora thotë se Perëndimi ka rolin e vet në nxitjen e tyre.

Dhe për të realizuar nxitjen e nevojshme, Milada Vaçudova e Universitetit të Karolinës së Veriut në Çepël Hill, mendon tha se Bashkimi Evropian është e vetmja organizatë ndërkombëtare që mund të ushtrojë ndikimin e duhur për përmirësimin e qeverisjes për vendet aspirante.

"Kështuqë, ekuacioni bazë është që të mirat që vijnë nga hyrja në Bashkimin Evropian, janë kaq të rëndësishme saqë krijojnë stimuj për të plotësuar detyrimet shumë të gjera të saj".

Ajo thekson se e rëndësishme është që reformat të kryhen para se një vend të anëtarësohet, pasi më pas do të ishte e pamundur që ndikimi të ishte efektiv.

Megjithëse vende të ndryshme të Ballkanit Perëndimor kanë disa sfida që ndryshojnë nga njëra-tjetra, siç vihet re edhe në raportin e javës së kaluar të Bashkimit Evropian për përparimin e secilit të tyre, analistët kanë besim se rezultati përfundimtar është i përbashkët: një e ardhme në Bashkimin Evropian.

Një prej tyre është Ivan Vejvoda, drejtor i zyrës së Beogradit, që mbulon vendet e Ballkanit Perëndimor, për Fondin Marshall, i cili nuk sheh pengesa me pasoja të pakthyeshne as tek sfidat që paraqet mosnjohja e Kosovës nga disa vende të BE-së dhe Beogradi që është vetë aspirant.

"Mendoj se si në Bruksel, ashtu edhe në Uashington ka një konsensus që ky rajon duhet të ecë përpara dhe kjo lëvizje përpara në një mënyrë shumë evropiane do të gjejë zgjidhjet që do të përmirësojnë jo vetëm kushtet e jetesës për të gjithë qytetarët e Ballkanit, por të garantojnë më shumë siguri dhe qartësi sesa kur ishim nën komunizëm".

Sipas tij, nëse institucionet janë të forta, nëse shteti ligjor forcohet, nëse gjendja e pakicave përmirësohet, atëherë të gjitha problemet e tjera zgjidhen më lehtësisht.

Por për hartuesit e politikave dhe ekspertët, zona që shtrihet nga kufijtë e Rusisë deri në kufijtë e Bashkimit Evropian, përballet ende me sfida të vështira. Katarina Mathernova është nëndrejtoreshë e përgjithshme e Bashkimit Evropian.

"Është pranuar që perspektiva e anëtarësimit në Bashkimin Evropian për vendet e Ballkanit perëndimor ka luajtur rolin e vet stabilizues dhe konsolidues, por me Ukrainën, Bjellorusinë dhe Moldavinë, meqenëse anëtarësimi nuk është në program, është më e vështirë".

Duke marrë si shembull vështirësitë me valën e fundit të zgjerimit, në vitin 2004, zonja Mathernova thekson rëndësinë e reformave para anëtarësimit, por edhe të më shumë elasticiteti në rregullat e ngurta të BE-së që ishin krijuar për vendet fillestare të organizatës. //kk//

XS
SM
MD
LG