Lidhje

"Njeriu pa ndikim" - Jeta e një viti pa konsum


Në nëntor 2006, shkrimtari Colin Behvin, e shoqja dhe vajza e tyre 2-vjeçare filluan një eksperiment një vjeçar. Familja Behvin me banim në New York kanë vendosur të jetojnë një vit pa energji elektrike, të mos përdorin transport që djeg karburant dhe të mos blejnë asgjë të re, përveç ushqimeve që janë kultivuar në ferma lokale. Ideja është që të bëjnë një jetë që nuk shkakton ndotje të mjedisit me gaze karbonike. Peripecitë e këtij eksperimenti një vjeçar shtjellohen në dokumentarin “No Impact Man” – Njeri pa Ndikim, që doli kohët e fundit në kinema:

Colin Behvin ka vendosur rregullat: Nuk do të ketë mbeturina, nuk do të përdorin letër tualeti apo pampersa për vajzën. Nuk do të hipin në ashensor për t’u ngjitur në apartamentin e tyre në kat të nëntë. Dhe siç shpjegon regjizorja e filmit Laura Gabbert, mbeturinat e ushqimeve do t’i shndërrojnë në pleh organik në një kontenier të mbushur me krimba.

“Në dokumentar e shikon familjen Behvin në tregun fshatar duke blerë një kontenier me krimba dhe shihet sa e tmerruar është Mishela që do të mbajë në kuzhinë krimba të gjallë, ndërsa e bija 2-vjeçare është shumë entuziaste nga eksperimenti.”


Regjizori dhe kineasti Justin Chein shpjegon se për ta bërë sa më të pranueshme jetën pa energji elektrike, Colin e shndërron larjen e rrobave në lojë:

Jeta pa lavatriçe e detyron çiftin ta shndërrojë vaskën në govadë rrobash, ku i lënë rrobat të zbuten në ujë për 3 orë. Dhe në vend që t’i fërkojnë me dorë, çifti dhe vajza i shtypin me këmbë.

“Mishela kishte shumë mëdyshje në fillim, por për habi iu përshtat shumë mirë kësaj jete dhe filloi ta konsideronte këtë eksperiment si një mundësi për ta bashkuar më tepër familjen.”

Gjatë eksperimentit Mishelës i është dashur të bëjë shumë sakrifica. Ajo ka hequr dorë nga kafeja, vaji i ullirit, erëzat për gatim, e plot artikuj që nuk prodhohen në tregun lokal. Plus, ajo shkon në zyrë, në redaksinë e një reviste lajmesh me skuter, pasi kjo mënyrë nuk çliron gaz karbonik.

“Sa më shumë angazhohet në projekt, aq më shumë ndryshon. Mishela përjeton një farë zgjimi shpirtëror. Ajo fillon të shohë kuptimin e shumë gjërave. Por mbi të gjitha, eksperimenti forcon lidhjet e tyre si një familje.”

Regjisorja Laura Gabbert thotë se edhe Colin ka përjetuar plot ndryshime:

“Colin burrërohet edhe si individ edhe si aktivist. Në fund të filmit merr aftësinë e një individi që ka fuqinë të informojë dhe që është në fillimin e një karriere të re.”

Një vit pas eksperimentit, familja Behvin i ka ndezur përsëri dritat dhe ka vënë në prizë frigoriferin e lavatriçen.

Megjithatë, disa nga praktikat e vitit eksperimental ende vazhdojnë: ata përdorin biçikletat shumë shpesh, blejnë në tregun lokal dhe nuk kanë televizor.

Ata shpresojnë se dokumentari dhe libri që ka shkruar Colin mbi eksperimentin e tyre do të ndihmojë për të ndërgjegjësuar lexuesit apo shikuesit se ndryshimet në mënyrën e jetesës ndihmojnë jo vetëm planetin, por edhe të pasurojnë jetën. //ii

XS
SM
MD
LG