Lidhje

Sekretarja Klinton flet për eliminimin e armëve bërthamore


Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton thotë se eliminimi i ambicjeve bërthamore të Iranit dhe Koresë së Veriut është kritik në mbështetje të përpjekjeve për mospërhapjen e armëve bërthamore. Në një fjalim në Uashington, ajo tha se një marrëveshje e re me Rusinë për pakësimin e armëve bërthamore do të demonstronte udhëheqjen amerikane për këtë çështje.

Zonja Klinton e shfrytëzoi fjalimin në Institutin amerikan të Paqes për të rikonfirmuar angazhimin e administratës ndaj synimit që deklaroi Presidenti Obama në prill në Pragë për një botë pa armë bërthamore.

Ajo tha se përpjekjet për të forcuar regjimin global të mospërhapjes së armëve bërthamore varen të paktën për të ardhmen e afërt tek zgjidhja e shqetësimeve lidhur me programet bërthamore të Iranit dhe Koresë së Veriut.

Por ajo tha se kthimi i Koresë së Veriut tek negociatat që u bllokuan vitin që kaloi, nuk është absolutisht i vetmi hap që Pheniani duhet të ndërmarrë nëse do një marrëdhënie më normale me Uashingtonin.

“Sanksionet aktuale nuk do të zbuten derisa Pheniani të ndërmarrë hapa të verifikueshme, të pakthyeshme drejt çnuklearizimit. Udhëheqësit e tij nuk duhet të ushqejnë iluzione se Shtetet e Bashkuara do të kenë ndonjëherë marrëdhënie normale dhe pa sanksione me Korenë e Veriut nëse ajo ka armë bërthamore”.

Zonja Klinton tha se administrata është gjithashtu e gatshme të angazhohet me Iranin, nëse ky vend tregon seriozitet në marrjen e hapave praktike për t’iu përgjigjur shqetësimeve për programin bërthamor.

Por ajo tha se procesi nuk mund të lejohet që të zvarritet pa një fund të qartë.

“Dera është e hapur për një të ardhme më të mirë për Iranin. Por procesi i angazhimit nuk është me një fund të papërcaktuar. Ne nuk duam të diskutojmë pa hapa praktike”.

Zonja Klinton tha se nevojiten masa të menjëherëshme, në veçanti për një plan për vende të tjera që të përpunojnë uranium me gradë të ulët pasurimi për një reaktor që prodhon izotope mjekësore.

Bisedimet mbi këtë temë që u mbajtën këtë javë në Vienë shihen si model i mundshëm për një marrëveshje sipas së cilës Irani mund të vazhdojë një program bërthamor civil ndërkohë që u jep zgjidhje shqetësimeve se përpjekja e tij aktuale ka lidhje me armët bërthamore.

Zonja Klinton bëri një vlerësim pozitiv të bisedimeve me Moskën që synojnë arritjen e një Traktati të Ri për Reduktimin e Armëve Bërthamore kur të skadojë marrëvesja aktuale në dhjetor.

Ajo tha se administrata beson se një traktat i ri do të konsolidojë sigurinë kombëtare në Shtetet e Bashkuara dhe të jetë shembull për pjesën tjetër të botës.

“Ne nuk kemi iluzione se ky traktat do të bindte Iranin dhe Korenë e Veriut që t’u japin fund aktiviteteteve të tyre të paligjshme. Por do të demonstronte se Shtetet e Bashkuara i plotësojnë detyrimet e tyre drejt çarmatimit bërthamor”.

Zonja Klinton bëri gjithashtu thirrje për forcimin e autoritetit dhe burimeve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike.

Ajo tha se nëse kjo agjenci duhet të jetë një pjesë e rëndësishme e regjimit të mospërhapjes, duhet të ketë burimet e nevojshme për të bërë punën e vet. //ii

XS
SM
MD
LG