Lidhje

Ekspertët, optimistë për rritjen e ekonomisë amerikane


Të dhënat e fundit ekonomike sugjerojnë se ekonomia amerikane do të rritet vitin e ardhshëm pavarësisht nga niveli i lartë papunësisë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Majkëll Baumën sjell hollësi nga Uashingtoni.

Ekonomistët janë dakort se ekonomia amerikane po zgjerohet me 3 përqind në vit gjatë muajve të fundit të vitit, duke shënuar kështu fundin e recesionit që filloi në fund të vitit 2007. Nëse rimëkëmbja ka filluar, fuqia dhe qëndrueshmëria e saj mbetet ende për t’u parë. Megjtihatë treguesit kanë filluar të shfaqen.

Përmasat e aktiviteteve ekonomike u rritën për të gjashtin muaj me radhë në shtator. Indeksi i Bordit të Konferencave në Nju Jork që përfshin treguesit kryesorë ekonomikë u rrit me një përqind muajin e kaluar, i pasuar nga një rritje prej 0,4 përqind në muajin gusht. Indeksi, i cili llogarit faktorë që nga prodhimi industrial e deri tek kërkesa për mallra dhe përqindja e interesave të kredive, shihet si tregues i besueshëm i rrugës që ka marrë ekonomia amerikane.

Ja si shprehet ekonomisti Xhoel Narof:

“Gjashtë muaj rritje në treguesit kryesorë ekonomikë na tregojnë se këtij recesioni po i vjen fundi. Një sërë faktorësh më të gjerë kanë filluar të tregojnë rritje të ekonomisë, dhe kjo tregon se rritja ka filluar.”

Por a do të fillojnë ta ndjejnë amerikanët përmirësimin ekonomik? Ndoshta jo ata miliona vetë që kërkojnë punë. Niveli i papunësisë në Shtetet e Bashkuara është tani 9,8 përqind dhe pritet të kalojë 10 përqindshin gjatë muajve të ardhshëm edhe nëse rritja ekonomike amerikane vazhdon të jetë pozitive. Dje, Departamenti i Punës njoftoi se numri i njerëzve të nxjerrë nga puna kohët e fundit që kanë aplikuar për kompensimet e papunësisë ka arritur në 531 mijë javën e kaluar nga 520 mijë që ishte një javë më parë.

Krye-ekonomisti i Grupit të Shërbimeve Financiare PNC Stjuart Hofman thotë se më pak njerëz po kërkojnë kompensime papunësie në krahasim me muajt e parë të vitit. Megjithatë, kjo rënie nuk është aq e madhe sa të ulë nivelin kombëtar të papunësisë.

“Numri duhet të ulet. Ai ka rënë në krahasim me pranverën e kaluar. Por kjo nuk do të thotë se në tetor kishte shtim të vendeve të punës, ndoshta kishte edhe humbje. Por humbja ishte thjesht më e vogël se në muajt e mëparshëm. Kur të arrijmë nën 500 mijë kompensime papunësie në javë, atëherë besoj se mund të fillojmë të shohim shtim të vendeve të punës, shpresoj nga tre-mujori i parë i vitit të ardhshëm.”

Ndërkohë, korportatat e mëdha amerikane vazhdojnë të njoftojnë fitime më të mëdha seç pritej, duke përfshirë shërbimet e telekomunikacionit si AT&T dhe gjigandin e fast-fudit MekDonalds.

XS
SM
MD
LG