Lidhje

Pakistan: Ushtria merr nën kontroll qytetin e një udhëheqësi taleban


Zyrtarë pakistanezë thonë se ushtria ka marrë nën kontroll sot qytetin e udhëheqësit taleban, Hakimullah Mehsud, disa ditë pas luftimeve të ashpra në Vaziristanin jugor.

Zëdhënësi i ushtrisë, gjeneral-majori Athar Abbas, tha se ushtarët morën nën kontroll qytetin Kotkai dhe tani po përpiqen të pastrojnë zonën. Ai tha se militantët kishin konvertuar shumë shtëpi në bunkerë. U njoftua se të paktën 12 militantë dhe dy ushtarë u vranë gjatë luftimeve për marrjen e qytetit.

Operacioni ishte pjesë e ofensivës së vazhdueshme të ushtrisë kundër kryengritësve talebanë në rajonin fisnor përgjatë kufirit me Afganistanin.

Po sot në pjesën veriperëndimore të vendit, zyrtarë thanë se një sulm me raketë, që dyshohet të jetë kryer nga amerikanët, shkaktoi të paktën 15 të vrarë në rajonin fisnor Bajaur.

Një zyrtar qeveritar tha se sulmi kishte në shënjestër një shtëpi, që mendohej se përdohej nga një komandant i lartë talebanë, i cili i shpëtoi sulmit.

Deri dje, ushtria pakistaneze tha se kishte vrarë gjithsejt 142 militantë, ndërsa ushtria humbi 20 ushtarë.

Këto njoftime nuk janë konfirmuar nga burime të pavarura, pasi rajoni është i mbyllur për të huajt, madje ai është i rrezikshëm që të vizitohet edhe për gazetarët lokalë.

Në Pakistan janë shtuar sulmet e militantëve që kur ushtria pakistaneze filloi një ofensivë madhore kundër talebanëve në Vaziristanin jugor.

Shkollat në gjithë vendin janë mbyllur deri nesër nga frika e gjendjes së sigurisë. //ze

XS
SM
MD
LG