Lidhje

SHBA: Irani ka pak kohë për t'iu përgjigjur propozimit bërthamor


Administrata e presidentit Obama vuri në dukje se po humb durimin me Iranin pasi qeveria e Teheranit injoroi afatin e djeshëm për t’iu përgjigjur një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga OKB-ja që synon zbutjen e shqetësimeve mbi programin e tij bërthamor. Irani ka premtuar se do të japë një përgjigje deri javën e ardhshme.

Zyrtarët amerikanë thonë se mund të presin edhe disa ditë për përgjigjen e Iranit mbi propozimin bërthamor, por ata thonë se administrata e presidentit Obama po kërkon veprime konkrete dhe durimi nuk do të jetë i pafund.

Komentet e Departamentit të Shtetit erdhën menjëherë pasi Irani nuk arriti të jepte një përgjigje përfundimtare dje mbi një propozim të ndërmjetësuar nga agjencia e OKB-së për mbikqyrjen e veprimtarive bërthamore, sipas së cilës Teherani do të çonte jashtë vendit pjesën më të madhe të uraniumit të pasuruar në gradë të ulët që ka prodhuar dhe që ka ngjallur shqetësimet ndërkombëtare.

Sipas këtij plani, Rusia do ta pasuronte uraniumin në gradën 20 përqind që nevojitet për reaktorin e kërkimeve në Teheran i cili prodhon izotope mjekësore dhe të cilit po i mbaron karburanti.

Nëse Teherani do ta dorëzonte shumicën e uraniumit që ka prodhuar në uzinën e Natancit, kjo do t’i zbuste shqetësimet në lidhje me armët bërthamore.

Megjithëse Irani duhej të përgjigjej dje, Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike tha se Irani kishte thënë se ndërsa po e konsideronte planin me pozitivizëm, i duhej kohë deri në gjysëm të javës së ardhshme për të marrë një vendim.

Gjatë një konference shtypi, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ian Kelli tha se Shtetet e Bashkuara do të kishin dashur të merrnin përgjigje nga Irani, por se do t’i jepnin Teheranit edhe pak ditë.

“Duam të shohim hapa konkretë. E shohim si shenjë pozitive që ata kanë rënë dakort në parim të ndërmarrin hapa domethënës si hapjen e uzinës së Komit, si dhe riprocesimin e uraniumit të pasururar në gradë të ulët në një vend tjetër. Në të njëjtën kohë, durimi ynë nuk është i pafund. Mendoj se mund t’i shtyjmë gjërat për ca ditë, dhe kjo është e gjitha. Por nuk do të presim përgjithmonë.”

Zoti Kelli tha se përgatitjet janë bërë për një vizitë që do të zhvillohet nesër nga inspektorët e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike në uzinën e pasurimit të Komit, të cilën Irani e pranoi kohët e fundit se po e ndërtonte.

Zoti Kelli tha se rezultatet e inspektimit të uzinës së Komit, dhe vendimi përfundimtar i Teheranit për planin e eksportimit të uraniumit do të jenë faktorë të rëndësishëm në diskutimet e fuqive të mëdha për të vendosur nëse do të kërkojnë masa të tjera dënimi për Iranin në lidhje me programin e tij bërthamor.

Diplomatët e lartë të vendeve anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Gjermani, grupi i ashtëquajtur pesë plus një, do të takohen në fund të këtij muaji në Gjenevë me negociatorin bërthamor të Iranit për të shqyrtuar përgjigjen e përgjithshme të Teheranit ndaj ofertës së tyre të stimujve në mënyrë që të ngadalësohet pasurimit dhe të kthehen në tavolinën e negociatave.

Zyrtarët kanë thënë se plani që Irani të eksportojë uranium për procesim jashtë vendit për përdorim në reaktorin e tij mjekësor mund të jetë model që mund të përdoret për një marrëveshje më të gjerë që mund t’i zgjidhë shqetësimet se programi që Teherani pretendon të jetë paqësor nuk ka të bëjë me prodhimin e armëve.

Palët e tjera në planin për reaktorin mjekësor, Rusia, Franca dhe Shtetet e Bashkuara, i thanë dje Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike se e kishin pranuar propozimin.

Ministri i Jashtëm francez Bernard Kushner tha se treguesit mbi pozicionin iranian mbi këtë marrëveshje nuk janë aq pozitivë dhe mund të ndikonin negativisht në takimin e ardhshëm të grupit pesë plus një në Gjenevë.

XS
SM
MD
LG